Talibanët, që po përballen me vështirësi për të udhëhequr Afganistanin përmes një krize ekonomike dhe humanitare pasi pushteti i tyre nuk njihet nga shtetet në botë, kanë gjetur partnerë të gatshëm në dy shtete, në Rusi dhe Iran.
Tregtia e këtyre dy shteteve është e kufizuar rëndë nga sanksionet ndërkombëtare.
Moska iu bashkua Teheranit në listën e shkurtër të kryeqyteteve botërore që kanë vullnet të bashkëpunojnë me talibanët, teksa javën e kaluar palët nënshkruan një marrëveshje preliminare.
Afganistani do të marrë 1 milion ton benzinë, 1 milion ton naftë, 500.000 tonë gaz të lëngshëm të naftës dhe 2 milionë tonë grurë në vit, njoftoi javën e kaluar, ministri i Tregtisë dhe Industrisë së talibanëve, Nooruddin Azizi.
“Rusia i bashkohet atij numrit të vogël të shteteve që janë të gatshme të bëjnë biznes me talibanët sa i përket eksportit dhe importit”, tha Narendra Taenja, një ekonomist i shquar që udhëheq Institutin e Pavarur të Energjisë, teksa komentoi marrëveshjen për të cilën është raportuar.
Se çfarë do të marrë në këmbim Rusia është shumë më pak e qartë, por duket se mallrat bujqësore dhe perspektiva e qasjes në të ardhmen në burimet natyrore të Afganistanit, mund të jetë pjesë e kësaj ujdie.
Talibanët, sikurse Rusia, janë jashtë sistemit bankar botëror. Ata kanë thënë se janë të gatshëm të paguajnë për mallrat me rubla ruse. Por, Taneja sugjeroi se ka pak të ngjarë që të ndodhë kjo, duke pasur parasysh vështirësitë e Afganistanit për të poseduar monedhën ruse përmes tregtisë.
“Duket se është më shumë një lloj marrëveshjeje informale, një lloj marrëveshjeje shkëmbyese, ku Rusia do ta furnizojë me naftë dhe gaz, ndërkaq [Afganistani] në këmbim do ta furnizojë me çfarë të mundet”, tha Taneja për Radion Evropa e Lirë.
Rusia, sikurse edhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar, nuk e njeh qeverinë e talibanëve dhe zyrtarisht e cilëson grupin islamik të linjës së ashpër si organizatë terroriste. Por, Moska në shumë raste ka mirëpritur zyrtarët talibanë në përpjekjet e mëhershme për bisedime të paqes, para se grupi taliban, të merrte Kabulin në gusht të vitit 2021.
Që atëherë, Moska e ka mbajtur të hapur ambasadën e saj në Kabul dhe ka një përfaqësues të posaçëm në Afganistan. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se shteti i tij do të marrë hapa drejt largimit të talibanëve nga lista e terrorizmit dhe ka udhëzuar mediat e shtetit që të ndalojnë së cilësuari këtë grup si terrorist, kur të merret vendimi.
Pak para mbajtjes së Forumit Ndërkombëtar Ekonomik të Shën Petersburgut në qershor, ku mori pjesë delegacioni i talibanëve, përfshirë edhe Azizin, Putin ndau eksporte të drithërave për shtetin e goditur nga thatësira, nëse Afganistani “do të kishte nevojë” për to.
Marrëveshja e re vjen pas disa javësh diskutime në Moskë që nisën pas një vizite që Azizi zhvilloi muajin e kaluar. Përfaqësuesi i posaçëm i Moskës për Afganistanin, Zamir Kabulov, konfirmoi për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS, se një marrëveshje “preliminare” ishte hartuar dhe Azizi deklaroi se një marrëveshje afatgjatë do të arrihet nëse të dyja palët pajtohen për të.
Azizi tha se Afganistani do të pranonte mallra me çmim të lirë, dhe se furnizimet me karburante do të transportoheshin përmes rrugëve përmes Azisë Qendrore.
Ministri taliban i Industrisë dhe Tregtisë po ashtu tha se Afganistani ka pranuar gaz dhe naftë nga Turkmenistani dhe Irani. Në fund të gushtit të vitit 2021, Teherani hoqi barrierat për eksportin e karburanteve në Afganistan. Këto masa Irani i kishte vendosur për shkak të shqetësimeve të sigurisë lidhur me trazirat në Afganistan.
Irani raportohet se ka eksportuar rreth 400.000 tonë karburante në Afganistan nga maji vitit 2020 deri në maj të vitit 2021, dhe para marrjes së kontrollit të shtetit nga talibanët, Turmenistani kishte qenë furnizuesi kryesor i benzinës në Afganistan.
“Shteti… nuk duhet të varet vetëm nga një shtet, ne duhet të kemi alternativa të tjera”, tha Azizi gjatë një interviste ekskluzive dhënë për Reuters javën e kaluar.
Marrëveshja me Rusinë po shihet si një prej marrëveshjeve më të mëdha tregtare që kanë arritur ndonjëherë talibanët. Kjo marrëveshje ngrehë pyetjet lidhur me atë se çfarë mund të ofrojë grupi militant.
Deri më tani, eksporti dhe të tatimet doganore nga qymyri kanë qenë burimet kyçe të të ardhurave për talibanët. Pjesa më e madhe e qymyrit është dërguar në Pakistanin fqinj.
Përveç qymyrit dhe produkteve bujqësore sikurse frutat, arrat dhe barërat medicinale, burimet e pashfrytëzuara të Afganistanit duket se mund të jenë një element potencial për tregti.
Ky shtet, që i zhytur në varfëri, besohet se është i pasur me burime të mineraleve, përfshirë të bakrit, hekurit, arit, litiumit dhe kobaltit, si dhe një mori elementesh të tjera të rralla të tokës. Agjencitë qeveritare të Shteteve të Bashkuara kanë vlerësuar se pasuria minerale e Afganistanit arrin më shumë se 900 miliardë dollarë, ndërkaq ish-qeveria afgane kishte thënë se shifra arrin deri në 3 trilionë dollarë.
Potenciali i Afganistanit ka tërhequr interes të madh nga Kina, India, Rusia dhe shtete të tjera. Kjo ka bërë që talibanët të synojnë rinisjen e projektit për minierën e bakrit Aynak të Kinës, duke negociuar po ashtu me kujdes edhe për projekte të minierave të litiumit dhe kobaltit, dy komponentë kyçë për prodhimin e baterive, që përdoren për energjinë e gjelbër në mbarë botën.
Afganistani gjithashtu ka rezerva të pashfrytëzuara të naftës dhe gazit natyror, tha Taneja, por shteti nuk ka qenë në gjendje t’i shfrytëzojë këto burime në aspektin komercial.
“Mendoj se rëndësia e marrëveshjes midis talibanëve dhe Rusisë është se ky është fillimi i diçkaje, dhe kjo mund të rritet në gjëra më të mëdha, siç është mihja e mineraleve të rralla në Afganistan, apo nxjerrja e gazit natyror”, tha Taneja.
Ai shtoi se në terma afatgjatë, marrëveshja tregtare midis talibanëve dhe Rusisë mund të sjellë ringjalljen e gazsjellësit TAPI, një projekt i madh që kishte për qëllim që transportonte gaz natyror nga Turmenistani në Pakistan dhe Indi përmes Afganistanit. Projekti ka ngecur për vite të tëra edhe pse autoritetet në Turkmenistan kanë përfunduar pjesën e tyre të projektit më 2019.
Nëntorin e kaluar, zyrtarët turmenë u përfshinë në diskutime me talibanët me qëllim që të përfundohej pjesa e gazsjellësit në Afganistanit, që nisi më 2018 dhe kishte për qëllim t’i ofronte Afganistanit 5 miliardë metra kub gaz në vit. Kjo sasi është më se e mjaftueshme për të mbuluar kërkesat vjetore për gaz të shtetit, që arrijnë deri në 200 milionë metra kub.
Taneja tha se është herët të thuhet nëse ky projekt mund të ringjallet, por ai shtoi se shumëçka varet nga lufta që po vazhdon në Ukrainë, sepse “shumë shtete do të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme, në kuptim të zgjerimit të raporteve të tyre me Rusinë sa i përket naftës dhe gazit”.
Pushtimi rus i Ukrainës, që nisi në shkurt, bëri që shumë shtete perëndimore të vendosnin sanksione ndaj Rusisë, përfshirë edhe ndaj eksporteve ruse të benzinës dhe gazit.
Marrëveshja me Afganistanin, megjithatë, do t’i shmangte masat e tilla ndëshkuese.
“Qëkur janë vendosur sanksione ndaj naftës dhe gazit rus, Rusia po kërkon tregje të reja, po kërkon shtete të reja të cilat mund të shesin naftën e saj”, tha Taneja.
“Prandaj, Afganistani ndoshta nuk është blerës i madh – është një blerës i vogël i naftës dhe gazit – por, megjithatë është një shtet tjetër që duket se është i interesuar për naftën dhe gazin rus. Siç e dini, qeveria e talibanëve nuk njihet nga asnjë shtet. Prandaj, talibanët mund t’i shmangin sanksionet”.
Dërgimi i furnizimeve të karburantit nga Rusia mund të hasë edhe në pengesa të tjera, megjithatë Taneja tha se duhet të gjenden kompani që janë të gatshme të ofrojnë siguri për ngarkesat, duhet të krijohen mekanizma të besueshme të pagesës dhe dërgesave, por po ashtu, sipas tij, ekziston rreziku që në të ardhmen të vendosen sanksione.
Raportet e Moskës me talibanët kanë nxitur kritika dhe marrëveshja e re për eksportimin e naftës dhe gazit po ashtu është pritur me kritika. Në rrjetet sociale ka pasur një numër postimesh që kanë përmendur si fakt se Rusia ende i konsideron talibanët si organizatë terroriste.
Por, me Afganistanin që po përballet me një krizë masive humanitare të shkaktuar nga thatësira, vërshimet dhe lufta, dërgesat e grurit rus po shihen si një zhvillim pozitiv.
“Duke lënë anash politikën dhe atë që po ndodh në Ukrainë dhe midis Rusisë dhe Perëndimit, mendoj se është e rëndësishme për ne njerëzit që të sigurohemi që asnjë person në Afganistan të mos vuaj nga uria”, tha Taneja. “Qytetarët [e Afganistanit] nuk janë talibanë, sunduesit janë talibanë. Dhe qytetarët po vuajnë nga uria. Prandaj, ata duhet të ndihmohen nga çdo shtet”. /REL