Kthesa e Moskës pas ndërhyrjes së Erdogan
Rusia bën një kthesë të papritur në marrëveshjen e grurit. Pasi e pezulloi të Shtunën prej sulmit ndaj anijeve luftarake të saj në Detin e Zi, për të cilin akuzoi ukrainasit, Moska vendosi t’i rikthehet marrëveshjes së arritur në korrik, që garanton eksportin e sigurt të grurit nga Ukraina.
Ishte sërish presidenti turk Rexhep Taip Erdogan që ndërmjetësoi me Moskën, që kjo marrëveshje të mos të prishej, duke thelluar krizën globale të çmimeve.
Erdogan tha para deputetëve në Ankara se kishte biseduar të Martën në telefon me homologun rus Vladimir Putin, i cili ra dakord për rikthimin mesditën e kësaj të Mërkure të marrëveshjes së grurit. Por pavarësisht tërheqjes së përkohshme nga marrëveshja, eksporti i grurit ukrainas nuk u ndal gjatë këtyre ditëve.
Madje, mbikëqyrësit turq të marrëveshjes thanë se të Hënën nga portet ukrainase doli një sasi rekord drithërash. Megjithatë, frika nga pezullimi i përkohshëm i marrëveshjes nga Rusia, rriti me të paktën 8% çmimin në bursat ndërkombëtare.
Tv Klan