Rusia humb mbështetjen e aleatëve

INDIA DHE KINA KUNDËR INVAZIONIT RUS NË UKRAINË

Sipas sjelljes së disa prej aleatëve më besnikë të Rusisë, posaçërisht gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këto ditë në Nju Jork, vërehet se ndryshon toni ndaj Moskës dhe lufta që e zhvillon në Ukrainë. Analistët thonë se ky fakt vërehet edhe pas fjalimit të Presidentit Putin, por edhe pas fjalimit të shefit të tij të diplomacisë, Lavrov.

Gjigantët aziatikë Kina dhe India kohëve të fundit kanë filluar ta vënë në pikëpyetje luftën e Putinit, ndërsa liderët e tyre tashmë po shfaqin shqetësime rreth invazionit rus në Ukrainë. Kryeministri i Indisë Narendra Modi, në fjalimin në Kombet e Bashkuara i bëri thirrje Putinit të angazhohet për paqe në Ukrainë, që konsiderohet të jetë vërejtja më e fuqishme deri më tani nga ana e Nju Delhit për Kremlinin. Mesazhin e ka përsëritur edhe shefi i diplomacisë së Indisë.

“India angazhohet fuqishëm për ndërprerjen urgjente të armiqësive dhe për kthimin e dialogut dhe diplomacisë. Kjo nuk është epokë për luftëra,” deklaroi Xhaishankar, Ministër I Punëve Të Jashtme, Indi.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë kineze, Vang Ji, deklaroi se në raport me luftën vendi i tij “as nuk do të mbrohet, as nuk do t’i hedhë benzinë zjarrit”.

“Si duhet t’i përgjigjemi thirrjes së kohës sonë, për ndërtimin e bashkësisë me të ardhme të përbashkët për njerëzimin? Përgjigja kineze është e qartë: së pari duhet ta kthejmë paqen dhe ta kundërshtojmë luftën,” deklaroi Vang Ji, Ministër i Punëve të Jashtme, Kinë

Në takimin me shefin e diplomacisë evropiane, Zhozep Borell, Vang ka shprehur qartë kundërshtimin për çfarëdoqoftë përdorim të armëve bërthamore, me të cilin para disa ditëve u kërcënua Putini. Atmosfera ndryshon edhe në vendet e Azisë Qendrore, të cilat praktikisht janë në “oborrin rus”. Autoritetet në Kirgistan, Kazakistan dhe Uzbekistan i kanë  paralajmëruar qytetarët e tyre që gjenden në Rusi  të mos marrin pjesë në luftën në Ukrainë. Presidenti i Kazakistanit, Kosim Jomart Tokajev haptazi e ka kritikuar Kremlinin gjatë fjalimit të tij në Kombet e Bashkuara. Gjatë Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork edhe liderë të tjerë botërorë kanë shprehur mospajtimin ose gjykimet e tyre të hapura për të gjithë që qëndrojnë në anën e Rusisë, duke bërë thirrje për ndërprerje urgjente të luftës. Ishte evidente se delegacioni rus në Kombet e Bashkuara pati shumë më pak takime dypalëshe se zakonisht, ndërsa burime të organizatës botërore thonë se disa nga takimet e planifikuara janë anuluar papritur./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share