Në të parin reagim për tensionet në veri të Kosovës, zyra e presidentit rus Vladimir Putin hodhi poshtë akuzat e ministrit të Brendshëm të Kosovës se prapa serbëve fshihet dora destabilizuese e Rusisë.
“Serbia është shtet sovran dhe natyrisht reagon ashpër kur dhunohen të drejtat e serbëve që jetojnë në vështirësi. Me Serbinë kemi marrëdhënie shpirtërore e historike. Sigurisht që mbështesim veprimet e Beogradit”.
Analistët serbë të veriut të Kosovës i varin shpresat për zgjidhjen e situatës vetëm tek ndërkombëtarët.
Miodrag Miliçeviç, analist, organizata “Aktiv”: Çelësi i zgjidhjes është komuniteti ndërkombëtar. Personalisht shqetësohem nga heshtja e tyre dhe nga zgjatja e kësaj krize që rrezikon të përshkallëzohet.
Serbët e veriut, të pyetur mbi këto tensione nga agjencia e lajmeve Reuters bëjnë me faj qeverinë e Kosovës.
“Jetojmë në geto, mes zinxhirësh dhe drynësh. Do ishte mirë që ata të tërhiqeshin, Albin Kurti dhe të tijët”, u shpreh një qytetar.
Tv Klan