Një punonjës i Ambasadës të Malit të Zi në Moskë është shpallur persona non grata (person i padëshiruar), në përgjigje të dëbimit të diplomatëve rusë më 7 prill nga Podgorica, njoftoi të martën Ministria e Jashtme ruse.
“Ambasadori i Malit të Zi në Rusi, Millorad Scepanoviq, është ftuar në takim nga Ministria e Jashtme më 31 maj dhe i është dorëzuar një njoftim që një punonjës i ambasadës është shpallur person i padëshiruar”, u tha në deklaratë.
Këtë vendim, Rusia tha se e mori në përgjigje të “vendimit të pabazë” të Malit të Zi, që më 7 prill dëboi disa diplomatë nga Ambasada ruse në Podgoricë dhe i shpalli persona të padëshiruar.
Mali i Zi ka dëbuar katër diplomatë rusë në prill. Ky shtet po ashtu ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit ushtarak ndaj Ukrainës.
Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, duke thënë se me këtë veprim po ruan “interesat vitale” të shtetit./REL