Rusia do të rinisë eksportet e gazit natyror

“Reuters” raporton se Nord Stream 1 do të fillojë sërish furnizimet pas mirëmbajtjes por me kapacitet të kufizuar

Flukset e gazit rus përmes gazsjellësit Nord Stream 1 pritet të rifillojnë të enjten pas përfundimit të mirëmbajtjes së planifikuar.

Tubacioni, i cili përbën më shumë se një të tretën e eksporteve të gazit natyror rus në Bashkimin Europian, u ndalua për dhjetë ditë mirëmbajtje vjetore më 11 Korrik. Burimet, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, i thanë “Reuters” se tubacioni pritej të rifillonte funksionimin në kohë, por me më pak se kapaciteti i tij prej rreth 160 milionë metra kub në ditë.

Gjigandi energjetik i kontrolluar nga Kremlini, Gazprom, uli eksportet e gazit në 40% të kapacitetit muajin e kaluar, duke përmendur vonesat në kthimin e një turbine Siemens Energy që ishte dërguar në Kanada. Ndërsa Gjermania dhe pjesa tjetër e Bashkimit Europian ishin në dyshim nëse gazi rus do të rrjedhë sërish në Europë përmes gazsjellësit Nord Stream 1 ekspertët u kanë bërë thirrje njerëzve “të mos krijojnë panik”.

Claudia Kemfert, e cila drejton departamentin për energjinë e institutit ekonomik gjerman shprehet se kjo periudhë duhet të shërbejë më shumë për kursim gazi.

“Këshilla për njerëzit është: mos u frikësoni sepse gazin mund ta marrim edhe nga tregu ndërkombëtar. Mbi 60% e gazit vjen nga tregu ndërkombëtar dhe ne kemi gaz për dimrin e ardhshëm. Megjithatë, çmimet janë të larta, kështu që bëni gjithçka që mundeni për të ulur kërkesën për gaz. Kjo është shumë e rëndësishme për konsumatorët, por edhe për industrinë dhe politikanët mund të bëjnë shumë më tepër për të kursyer”.

Nord Stream 1, i cili kalon në Detin Baltik deri në Gjermani, ka qenë në fokus që kur Rusia dërgoi trupa në Ukrainë më 24 Shkurt. Perëndimi ka akuzuar Rusinë, eksportuesin më të madh të gazit në botë dhe furnizuesin e dytë më të madh të naftës së papërpunuar, për përdorimin e furnizimeve të saj me energji si një mjet politik.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ka qenë një furnizues i besueshëm i energjisë. Gazeta Kommersant raportoi duke cituar njerëz të njohur me situatën, se Kanadaja kishte dërguar turbinën e nevojshme për Nord Stream 1 në Gjermani me aeroplan më 17 Korrik, pasi kishte përfunduar puna e riparimit.

Një nga zyrtarët i tha “Reuters” se turbina nuk ka gjasa të riinstalohet deri më 21 Korrik por autoritetet gjermane janë shprehur se turbina ishte një pjesë zëvendësuese që duhej të përdorej vetëm nga Shtatori, që do të thotë se mungesa e saj nuk mund të ishte arsyeja e vërtetë për rënien e rrjedhave të gazit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share