Pas Spanjës dhe Sllovakisë edhe Rumania si shtet që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës nuk e ka një qëndrim të definuar nëse do të mbështes heqjen e regjimit të vizave për kosovarët. Nga Ministria e Jashtme e Rumanisë kanë thënë se pozicioni i Bukureshtit zyrtar është duke u diskutuar dhe analizuar në kuadër të diskutimeve të brendshme.
Megjithatë në përgjigjen e dhënë për Express, nga Rumania potencojnë se liberalizimi i vizave për Kosovën do të nënkuptonte që Kosova të largohej nga aneksi i Rregullores së Këshillit 1806/2018 për vendet e treta që iu kërkohet vizë dhe të shtohet në tek pjesa e shteteve që s’iu kërkohet vizë, por thonë se duhet të shtohet si aneks tek pjesa e “etniteteve dhe autoriteteve territoriale që nuk njihen si shtete të paktën nga një shtet anëtar”
Këtë qëndrim për vizat kanë thënë se do ta diskutojnë duke u nisur nga respektimi i pozicionit neutral të Bashkimit Evropian për Republikën e Kosovës.
“Liberalizimi i vizave do të nënkuptonte që provinca e Kosovës do të hiqej nga një aneks i Rregullores së Këshillit 1806/2018 dhe do të përfshihej në një aneks tjetër të dokumentit, duke renditur entitetet dhe autoritetet territoriale që nuk njihen si shtete nga të paktën një shtet anëtar”, kanë thënë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë. Në këtë kontekst, pozicioni i Rumanisë për liberalizimin e vizave për Kosovën është ende në analizë të brendshme, duke filluar nga premisa e respektimit të neutralitetit të BE-së për statusin e provincës”, kanë shtuar tutje nga MPJ e Rumanisë.
Tutje kanë theksuar se qëndrimi i Rumanisë për pavarësinë e Republikës së Kosovës nuk ka ndryshuar.
“Rumania nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj për të mos pranuar pavarësinë e shpallur në mënyrë të një anshme nga autoritetet në Prishtinë”, kanë theksuar në përgjigje.
Derisa shtojnë se Rumania synon të kontribuojë në rritjen e ndikimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
“Prandaj, Rumania po ndjek dhe inkurajon nga afër dialogun Beograd-Prishtinë për të adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura”, thuhet në fund të përgjigjes.
Të mërkurën për Gazetën Express kanë folur edhe nga Ministria e Jashtme e Spanjës duke thënë se diskutimet për Kosovën veçse kanë filluar dhe se qëndrimet e shteteve anëtare për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën do të specifikohen në kuadër të diskutimeve të tjera që pritet të ndodhin.
Nga MPJ e Sllovakisë gjithashtu kanë thënë se vlerësojnë dhe respektojnë qëndrimin e Komisionit Evropian që Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, megjithatë kanë thënë se qëndrimi i shtetit sllovak për këtë çështje është ende në nivel të diskutimeve të brendshme.
Më 12 dhe 13 tetor në Bruksel janë mbajtur diskutimet e para për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Nga ato që janë diskutuar brenda, siç është raportuar ka qenë Franca që ka kushtëzuar heqjen e regjimit të vizave me funksionalizimin e sistemit ETIAS. Në këtë qëndrim thuhet se Franca është mbështetur nga Spanja, Holanda, Belgjika dhe Suedia.
Nga MPJ e Francës ndërkohë në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se diskutimet do të vazhdojnë dhe se Kosova s’do të trajtohet ndryshe nga shtetet që kanë përfituar së voni nga liberalizimi i vizave. /EkonomiaOnline/