LEN: PËR FUNKSIONARËT ISHTE PAK RRITJA E PAGAVE 78 %, TANI PLUS 400 €
Rritja e pagave të funksionarëve ka shkaktuar akuza dhe kundër akuza mes partive të opozitës dhe pushtetit. Nga Lidhja Europiane për Ndryshim, në kumtesë për mediat thonë se, ishte pak rritja e pagave për funksionarët 78%, e tani fitojnë edhe 400 euro plus me rritjen e pagës minimale. Sipas opozitës shqiptare, pushteti përpiqet ti mashtrojë qytetarët me rritje të ulët të pagave.
“Vetëm për pesë muaj, nxënësve do u shpërndajë nga 1.200 denarë (20€), pensionistëve nga 3.000 denarë (50€), por ama paturpësia shpejt u doli në shesh, sepse nga muaji janar, ky pushtet aktual i LSDM-së, BDI-së dhe ASH-së i rrisin pagat për mbi dy mijë funksionarë të tyre me nga 24.000 denarë (400 €). Kjo rritje e rrogës ndodh për shkak të rritjes së pagës mesatare. Megjithatë, ndodh vetëm disa muaj pasi pushteti rriti pagat e funksionarëve me 78%. Dhe me rritjen e fundit, tani shumica e funksionarëve të pushtetit do të kenë paga nga 2500€ deri në 3000 €” – thonë nga LEN.
Kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE, nga ku thonë që Maqedonia e Veriut është e fundit në rajon në rritje ekonomike që nga viti 2017.
“Vlera e shportës minimale sindikale, për mbijetesën e një familjeje katër anëtarëshe gjatë muajit tetor 2023, ishte 46.198 denarë. LSD-ja mburret me pagë minimale prej 22.500 denarë, që është gjysma e kostos reale të jetesës. Në shtatë vitet e qeverisjes së LSD-së, Maqedonia mbeti prapa të gjitha vendeve të rajonit, të gjitha vendet që ishin pas nesh tani janë para nesh. Në periudhën 2017-2023, rritja e BPV-së për kokë banori në Maqedoni është vetëm 20%, ndërsa në të gjitha vendet e tjera të rajonit është 50%, e në disa vende edhe mbi këtë. Gjegjësisht, përderisa në Maqedoni ekonomia u rrit për 20%, në BeH u rrit për 42%” – thonë nga VMRO-DPMNE.
Por LSDM-ja në pushtet, thotë se rritja e pagave do të vazhdojë edhe këtë vit.
“Nga muaji mars do të ketë rritje të re të pagës minimale dhe ajo do të jetë 22.500 denarë. Në 6 vitet e fundit, LSDM e ka rritur pagën minimale 4 herë. Në vetëm pak vite, paga minimale është dyfishuar në krahasim me vitin 2016. Me politika ekonomike të drejta dhe të suksesshme LSDM arriti të rrisë edhe pagën mesatare në 39 000 denarë. Paga mesatare është për 300 euro më e lartë tani krahasuar me vititn 2016” – thonë nga LSDM.
Nga LSDM thonë se kanë vendosur zgjidhje ligjore të cilat përmbajnë metodologjinë e rritjes së pagave në bazë të rritjes së shpenzimeve për jetesë dhe rritje të pagës mesatare dhe se do të vazhdojnë edhe më tej të mbrojnë standardin e qytetarëve. /KlanMacedonia/