QYTETARËT E KOSOVËS MUND TË UDHËTOJNË LIRSHËM NË 91 SHTETE TË BOTËS
Liberalizimit i vizave për Kosovën, ka rritur edhe peshën e pasaportës kosovare. Sipas të dhënave të fundit nga Indeksi Botëror i Pasaportave, Republika e Kosovës tani zë një pozitë më të lartë ku tregohet se qytetarët e saj mund të udhëtojnë pa viza në 48 vende të botës, me të drejtën për të marrë vizë në pikën e hyrjes në 41 shtete të tjera.
Në këtë renditje të re, pasaporta e Kosovës ka afërsisht një qasje të lirë për të udhëtuar në 46 për qind të shteteve të Botës, që pasqyron një përmirësim të dukshëm në krahasim me periudhën para 1 janarit. Qytetarët e Kosovës tani mund të udhëtojnë lirshëm në 91 shtete të Botës, një rritje prej 34 shteteve në krahasim me periudhën para vendimeve për lirimin e vizave.
Megjithatë, regjimi i vizave do të vazhdojë të mbetet në fuqi për 107 shtete të tjera.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh. Por, edhe pse Spanja është pjesë e Schengenit, shtetasit e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në këtë shtet, pasi Madridi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e as pasaportat e saj.
Ndërkohë, pasaporta më e fuqishme në Botë mbetet ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila siguron hyrje pa viza në 90 për qind të shteteve të Botës, duke vendosur një standard të lartë për liritë e udhëtimit./KlanMacedonia/