Erdoğan: Moska po tërhiqet nga marrëveshja, sepse nuk mori të njëjtat përfitime, por do të vazhdojmë eksportet
Tërheqja e Rusisë nga marrëveshja historike e për eksportet e grurit ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të çmimeve të drithërave. Çmimi i grurit u rrit me 6%, që është më i larti që nga 14 tetori, ndërsa cmimi i misrit u rrit me më shumë se 2%.
Ekspertët thonë se situata në vazhdim do të varet nga mënyra sesi do të zhvillohet lufta. Qindra mijëra ton grurë rezervuar për dërgesë në Afrikë dhe Lindjen e Mesme janë në rrezik pas tërheqjes së Rusisë. Po ashtu edhe eksportet e misrit ukrainas në Evropë pritet të goditen.
Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për marrëveshjen e eksportit të grurit në Detin e Zi, pavarësisht hezitimit rus. Presidenti RexhepTajip Erdogan u shpreh i gatshëm për të vazhduar marrëveshjen në mënyrë që të mos thellohet kriza ushqimore.
“Edhe nëse Rusia sillet me hezitim sepse nuk mori të njëjtat përfitime, ne do të vazhdojmë me vendosmëri përpjekjet tona për t’i shërbyer njerëzimit. “Me mekanizmin e përbashkët që krijuam në Stamboll, ne kontribuuam në lehtësimin e një krize globale ushqimore duke ofruar 9.3 milion ton drithë ukrainase në botë”, ka thënë Erdogan.
Ndërkaq dymbëdhjetë anije me grurë janë larguar të hënën nga Ukraina pavarësisht se Rusia u tërhoq nga marrëveshja e drithit e ndërmjetësuar nga Turqia-OKB. Tërheqja e Rusisë nga marrëveshja ka ngjallur reagime të ashpra nga Ukraina, NATO, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa Kombet e Bashkuara dhe Turqia, dy ndërmjetësit kryesorë të marrëveshjes së korrikut, janë vënë në lëvizje për të mos krijuar një tjetër krizë.
Në fillim të këtij viti çmimet globale të grurit arritën në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Ndërkaq Franca po punon për të lejuar Ukrainën të eksportojë furnizime ushqimore përmes rrugëve tokësore dhe jo përmes Detit të Zi përmes Polonisë ose Rumanisë. Më shumë se 9.5 milion ton misër, grurë, produkte luledielli, elbi dhe soje janë eksportuar nga Deti i Zi që nga Korriku.
Klan News