Qeveria e kryeministrit bullgar Kiril Petkov është rrëzuar këtë të mërkurë pasi nuk mori votëbesimin e parlamentit për politikat fiskale dhe ekonomike, duke i hapur me gjasë kështu rrugën zgjedhjeve të parakohshme.
Partitë opozitare dhe ish-aleati në qeverisje ITN, rrëzuan koalicionin qeveritar që erdhi në pushtet në Dhjetor, me 123 vota pro dhe 116 kundër.
Ky është votimi i parë i mosbesimit në historinë demokratike të Bullgarisë.
Qeveria e Petkovit erdhi në pushtet me zotimin për të luftuar me vendosmëri korrupsionin, për të hequr nga detyra prokurorin e Përgjithshëm, Ivan Geshev dhe kreun e Komisionit Anti-korrupsion, Sotir Tsatsarov. Po ashtu u zotua se do të forcojë fuqitë e komisionit. Dorëheqja e Tsatsarovit erdhi e para.
Ndërkohë, Komisioni i Politikës së Jashtme i parlamentit të Bullgarisë, pritet të shqyrtojë edhe propozimin francez për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Maqedoninë e Veriut./tvklan.al