Rreth 255 mijë nxënës në shkollat fillore dhe të mesme nisin vitin e ri shkollor

Rreth 255 mijë filloristë dhe nxënës të shkollave të mesme sot e fillojnë vitin shkollor 2022/2023 në të cilin mësimi, pas dy viteve pandemi, fillon pa protokolle antikovid dhe maska mbrojtëse.

Nxënësit e klasës së parë, të dytë, të katërt dhe të pesët vitin e ri shkollor do ta nisin pa librat shkollor dhe do të mësojnë me materiale të shtypura, derisa nuk u mbërrijnë librat me programet e reja mësimore.

Për nxënësit e klasës së dytë dhe të pestë, sipas Konceptit për arsim fillor që vitin e kaluar zbatohej në mënyrë etapore, ka programe të reja mësimore kurse librat ende nuk janë gati.

“Procedurat për miratimin e librave për klasën e parë, të dytë, të katërt dhe të pestë në arsimin fillor, për të cilat janë përgatitur programe të reja mësimore, janë në fazën përfundimtare të miratimit. Në konkursin anonim, një pjesë e dorëshkrimeve janë zgjedhur, por ka të tillë që janë me vërejtje nga Komisionet recenzuese dhe duhet të pësojnë ndryshime dhe plotësime të caktuara”,deklaruan nga Ministria e Arsimit.

Për klasat tjera që vlejnë programet e vjetra mësimore, sikurse edhe për arsimin e mesëm, librat do të dorëzohen me kohë. Librat për klasën e katërt dhe më lartë përvec në formatin e shtypur do të jenë edhe në atë digjital.

Përvec problemeve të zakonshme me mungesën e dëftesave, librave dhe teksteve shkollore, këtë vit, shkollat fillore dhe të mesme duhet të përballen edhe me sfidat e krizës energjetike.

Qeveria i detyroi institucionet shtetërore për ulje të konsumit të energjisë elektrike dhe ngrohëse. Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se cili është plani për ngrohjen e shkollave, Shaqiri dje u përgjigj se më me rënësi është ato të mbeten të hapura dhe se në MASH është formuar grup i punës për koordinim me ministritë e Ekonomisë dhe Financave dhe me institucione të tjera kompetente.

/KlanMacedonia/

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share