Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar tre zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.
“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta”, shkroi ai në Facebook.
Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar “të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë, që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë, por edhe të ndalë provokimet e saj”.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, njësia policore ka qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Policia tha se ky njësit, i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, ka njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur dhe ka kërkuar asistencë. Drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.
“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.
Në një konferencë për media, Baki Kelani nga Policia e Kosovës, e quajti këtë veprim si “kidnapim klasik” nga forcat e njësive speciale serbe.
Ai tha se Serbia edhe në të kaluar ka rrëmbyer policë të Kosovës, sikurse më 2011, kur sipas tij u rrëmbyen dy zyrtarë policorë kosovarë.
“Policia e Kosovës është e brengosur dhe e dënon kidnapimin klasik. Sigurojmë qytetarët tanë që Policia e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë që të kryejë detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore”, tha Kelani.
Ai akuzoi Serbinë se po përdorë rrëmbimet e zyrtarëve policorë për të destabilizuar veriun dhe “për të mbrojtur kriminelët”.
Kelani tha se zyrtarët policorë janë policë patrullues, e paqeruajtës.
“Unë dua të ju siguroj që ata janë tre zyrtarë të moshës së shtyrë rreth 50 vjeç apo edhe mbi 50 vjeç”, tha ai.
Kelani shtoi se Policia e Kosovës do të shtojë praninë e saj në vendet ku vlerësohet se është e nevojshme.