Pas rrëmbimit të 3 efektivëve të Policisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla kanë dalë në një konferencë për mediat.
I pyetur se a ka pasur komunikim me ndërkombëtarët, Kurti u shpreh se ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të DASH për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar si dhe me ambasadorin amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier.
“Unë mbrëmë kam pasur bisedë telefonike me të dy, edhe me emisarin special Escobar dhe me Hovenier me të cilët folëm për sigurinë dhe u kam thënë që KFOR të më sjellë informacion para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, mirëpo asnjë informacion! Ne kemi shkuar në mbledhje me informacionet e Republikës së Kosovës që qartazi janë të vërteta.
Nuk bëhet fjalë për arrestim të policëve, është cenim i integritetit territorial, akt agresioni dhe natyrisht jemi në kontakt me ta, do t’i takoj dhe sot gjatë ditës dhe me Jetish Jasharin jemi në kontakt për vizitë në burgjet ku po mbahen policët tanë. Për hollësi të tjera operacionale ministri është më shumë se unë në dijeni, bëhet fjalë për rrëmbim të policëve përtej atij hendeku të prerë të rrugës dhe dërgim i tyrë në Serbi”, deklaroi kreu i qeverisë së Kosovës.
E për provat që dëshmojnë rrëmbimin e policëve nga trupa serbe, Kurti thekson se i ka ndarë dhe me KFOR-in.
“Të gjitha këto i ka edhe KFOR, ne i ndajmë informatat me partnerët tanë, mirëpo heshtja e tyre nuk i kontribuon as hetimit e as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje të mos kemi deklaratë zyrtare. Është Komandanti i Përgjithshëm i cili për çdo deklaratë e përmend rezolutën, kjo pyetje duhet t’i bëhet atij ndërkaq ne si institucione të Kosovës ne e konsiderojmë ligjin në fuqi si e drejtë dhe përgjegjësi e jona”, u shpreh ai./tvklan.al