Rrëfimi tronditës i infermieres afgane: Nuk mund të bëjmë asgjë veçse të shikojmë foshnjat të vdesin

Tajbullah 3-muajsh është i qetë. Nëna e tij hoqi tubin e oksigjenit nga hunda e të voglit dhe e kontrollon për të  kuptuar nëse mund të marrë frymë. Ajo fillon të qajë kur kupton se djali i saj po vdes.

BBC News ka shkuar në një spital në Afganistan ku ka paraqitur përmes një artikulli gjithë gjendjen e rëndë ku nuk ka asnjë ventilator të vetëm që funksionon.

Nënat mbajnë tuba oksigjeni pranë hundës së foshnjave të tyre sepse nuk ka maska për t’iu përshtatur fytyrave të tyre të vogla dhe gratë po përpiqen të plotësojnë atë që duhet të bëjë stafi i trajnuar ose pajisjet mjekësore.

“Edhe unë jam nënë dhe kur pashë foshnjën të vdiste, ndjeva sikur humba fëmijën tim.

Kur pashë nënën e tij duke qarë, më theu zemrën. Më lëndoi ndërgjegjen. Ne nuk kemi pajisje dhe ka mungesë të stafit të trajnuar, veçanërisht personelit femëror. Kur kujdesemi për kaq shumë në kushte të rënda, cilin fëmijë duhet të kontrollojmë fillimisht?

Nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të shikojmë foshnjat të vdesin”, tha infermierja Sultani, e cila shpeshherë bën turne 24 orëshe.

Sipas OKB-së, çdo ditë vdesin 167 fëmijë në Afganistan nga sëmundje të parandalueshme, sëmundje që mund dhe duhet të kurohen me mjekimin e duhur. BBC thekson se brenda repartit pediatrik të spitalit kryesor në provincën perëndimore të Ghor, do të pyesni veten nëse ky vlerësim tragjik është shumë i ulët duke parë gjendjen tronditëse në spital.

Dhomat e shumta janë plot me fëmijë të sëmurë, të paktën dy në çdo shtrat, trupat e tyre të vegjël të shkatërruar nga pneumonia. Vetëm dy infermiere kujdesen për 60 fëmijë./abcnews.al/

BBC  shton se në një dhomë kanë parë të paktën dhjetra foshnja që dukej se ishin në gjendje të rëndë për jetën. Fëmijët duhej të ishin nën monitorim të vazhdueshëm, gjë që ishte e pamundur për këtë spital. Megjithatë, për miliona njerëz që jetojnë në Ghor, ky objekt bazë është ende spitali publik më i pajisur me të cilin mund të hyjnë.

Kujdesi shëndetësor publik në Afganistan nuk ka qenë kurrë adekuat dhe paratë e huaja që e financuan pothuajse u ngrinë tërësisht në muajin Gusht të 2021-shit kur talebanët morën pushtetin.

Ndalimi i fundit i talebanëve për gratë që punojn për OJQ-të do të thotë se po bëhet më e vështirë për agjencitë humanitare të operojnë duke vënë kështu në rrezik edhe më shumë fëmijë dhe foshnje.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share