I bëri reklamë një kompanie kriptomonedhash
Cristiano Ronaldo po përballet me një padi kolektive në Shtetet e Bashkuara për promovimin e tij të kompania të shkembimit të kriptomonedhave të quajtur “Binance” me seli në ishujt Cayman, një parajsë fiskale.
Personat që kanë vendosur ta padisin pretendojnë se promovimi i produktit nga ana e tij, i ka shtyrë të bëjnë investime me humbje dhe për këtë arsye ata kërkojnë dëmshpërblim. BBC shkruan se Ronaldo përballet me një shumë që mund të arrijë mbi 900 milionë Euro.
CR7 reklamoi ato që quhen NFT, të cilat janë asete virtuale që mund të blihen dhe shiten, por që nuk kanë formën e tyre në botën reale, me fjalë të tjera ato ekzistojnë vetëm në mënyrë dixhitale. Ato zakonisht përdoren për të shënuar pronësinë e diçkaje, si për shembull një imazh ose video në internet.
NFT-ja më e lirë në koleksionin që reklamoi Ronaldo kishte një çmim prej 77 Dollarësh kur doli në shitje në Nëntor 2022, por një vit më vonë, ajo shitet për rreth 1 Dollarë. Paditësit pretendojnë se promovimi i Binance nga Ronaldo çoi në një “rritje 500% të kërkimeve” për shkëmbimin e kriptomonedhave.
Padia kolektive u ngrit një javë pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë i kërkoi kompanisë të paguante 3.9 miliardë Euro në gjoba dhe konfiskim. “Binance” është akuzuar se ka ndihmuar përdoruesit të anashkalojnë sanksionet në mbarë botën dhe duke ua lehtësuar kriminelëve dhe terroristëve lëvizjen e parave.
Tv Klan