Kandidatët republikanë presidencialë, Ron DeSantis dhe Nikki Haley, u përplasën sërish në një debat duke shkëmbyer edhe ofendime mes njëri-tjetrit. Donald Trump zgjodhi edhe një herë të mos merrte pjesë ndërsa merrte pjesë në një intervistë në Fox News. Në Iowa, kandidatët u përfshinë në mosmarrëveshje mbi mbështetjen për financimin e vazhdueshëm të mbrojtjes së Ukrainës nga SHBA kundër Rusisë. Haley mbrojti faktin që Kongresi të ofrojë ndihmë për Kievin, duke theksuar përshkallëzimin e mundshëm të kërcënimit rus dhe implikimin ndaj vendeve të NATO-s.
“Diktatorët gjithmonë bëjnë atë që thonë se do të bëjnë. Rusia tha se sapo të marrin Ukrainën, Polonia dhe Baltiku janë të radhës. dhe kjo e vë Amerikën në luftë. Kjo ka të bëjë me parandalimin e luftës”.
DeSantis ngriti shqetësime për sasinë e parave të alokuara për konfliktin, duke kërkuar llogaridhënie dhe duke shprehur skepticizëm.
“Ne duhet të gjejmë një mënyrë për t’i dhënë fund kësaj. Njerëzit si Nikki Haley kujdesen më shumë për kufirin e Ukrainës sesa për kufirin tonë jugor, gjë që është e gabuar”.
Ndërkohë, Haley dhe DeSantis të dy shprehën pa mëdyshje mbështetjen e tyre për Izraelin. DeSantis mbajti mbështetjen e tij të palëkundur dhe pohoi se të jesh një aleat i mirë do të thotë të mbështesësh pa kushte vendimet e Izraelit. Të dy kandidatëve iu kërkua të vlerësonin nëse Trump ka karakterin për t’u bërë sërish President. Haley u shpreh se për sulmin në Kapitol Trump do të duhet të përgjigjet për të. Të dy kandidatët nuk ishin dakord me argumentin e imunitetit presidencial të ish presidentit amerikan një pretendim që ai aktualisht po përpiqet ta përdorë në gjykatë për të shmangur ndjekjen penale.
Haley u përgjigj me një kritikë të ashpër ndaj dështimit të fushatës së DeSantis deri më tani i cili ka shpenzuar më shumë para për aeroplanë privatë se sa duke u përpjekur që banorët e Iowa-s të votojnë për të. Mes të tjerash siguria kufitare dhe imigracioni u kritikuan vazhdimisht, një reflektim i sondazheve që tregojnë se është një shqetësim kryesor për votuesit republikanë në Iowa dhe në të gjithë SHBA-në.
Debati vjen pasi ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie u tërhoq nga gara presidenciale. Largimi vjen si surprizë, pasi ai e kishte bazuar suksesin e fushatës së tij tek zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër, të cilat mbahen pas vetëm dy javësh. Ai kishte këmbëngulur se nuk kishte ndërmend të largohej nga gara, duke e paraqitur veten si të vetmin kandidat me vullnetin për t’u përballur me ish-presidentin Donald Trump.
Klan News