RMV-ja ka humbur 23,74% të nxënësve për dy dekada – numri i nxënësve është përgjysmuar në Gostivar, Strugë, Kërçovë, Tearcë dhe Vrapçisht

Numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme (cikli i parë) në nivel vendi ka shkuar duke rënë vazhdimisht në dy dekadat e fundit. Krahasuar me vitin shkollor 2001/2002, në vitin shkollor 2021/22 mësimin e ndjekin 58.091 nxënës më pak, apo një rënie prej 23,74%. Në vitin 2001/2002, 244.740 nxënës ndjeknin mësimin fillor dhe ciklin e parë të atij të mesëm, krahasuar me 186.649 në vitin 2021/2022, tregojnë burimet e institutit Arbën Xhaferi.

Rënia e numrit të nxënësve ka ndodhur në 68 komuna të Maqedonisë së Veriut, kurse rritje ka në vetëm 9 komuna.

Në ktë komunat ku ka patur rritje të numrit të nxënësve janë që të gjitha pjesë e qytetit të Shkupit apo periferi imediate e kryeqytetit: Aerodromi, Buteli, Studeniçani, Çashka, Çairi, Shutka, Haraçina, Petroveci dhe Ilindeni. Vlen të theksohet se Aerodromi ka rritje prej 966% të numrit të nxënësve nga 665 në vitin 2001/2002, në 7.091 në vitin 2021/2022. Buteli ka rritje prej 334,09% nga 1.194 nxënës në 5.183.

Në çdo rajon dhe në çdo komunë tjetë ka rënie të numrit të nxënësve. Tri komunat me rënien më të madhe të numrit të nxënësve janë Kratova (-56,98%), Pllasnica (-56,69%) dhe Çeshinova-Oblesheva (-56,38%).

Trendi i numrit të nxënësve në komunat me shumicë shqiptare

Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë 2021, shqiptarët janë shumicë absolute apo relative në 18 komuna (sipas renditjes alfabetike): Bërvenica, Bogovina, Çairi, Çashka, Dibra, Dollneni, Gostivari, Haraçina, Jegunoci, Kërçova, Likova, Saraji, Struga, Studeniçani, Tearca, Tetova, Vrapçishti, Zhelina.

Në katër komuna me shumicë shqiptare ka rritje të numrit të nxënësve, respektivisht Studeniçani (33,21%), Çashka (22,93%), Çairi (21,79%) dhe Haraçina (11,45%). Që të gjitha këto komuna janë pjesë e qytetit të Shkupit ose të periferisë së kryeqytetit. Saraji, gjithashtu pjesë e qytetit të Shkupit ka rënie margjinale të numrit të nxënësve prej -2,99% (figura 2).

Komunat me shumicë shqiptare në rajonet tjera të vendit kanë rënie të madhe të numrit të nxënësve. Vetëm Dollneni (-4,68) dhe Tetova (-16,51) kanë rënie nën nivelin e mesatares së shtetit.

Të gjitha komunat tjera me shumicë shqiptare kanë rënie më të madhe se ajo në nivel shteti: Bërvenica (-31,02%), Likova (-32,45%), Zhelina (-35,18%), Jegunoci (-38,23%) dhe Dibra (-39,13%). Në pesë komuna me shumicë shqiptare, rënia e numrit të nxënësve ka arritur proporcione të jashtëzakonshme me një numër të nxënësve gati të përgjysmuar brenda dy dekadave të fundit: Struga (-42,17%), Tearca (-45,68%), Kërçova (-46,97%), Vrapçishti (-47,21%) dhe në fund, Gostivari (-47,44%).

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share