Rivalët e Trump përplasen sërish në debat: Mbështesim fort Izraelin

Për herë të tretë, rivalët e Donald Trump për garën presidenciale dolën në skenën e debatit, por sërish pa praninë e ish-presidentit amerikan.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis dhe ish-ambasadorja e OKB-së, Nikki Haley, kritikuan Trumpin, për mungesën e tij si dhe e kaluan pjesën më të madhe të debatit dy-orësh duke sulmuar njëri-tjetrin. Të 5 kandidatët republikanë për president deklaruan mbështetjen e fortë për Izraelin.

“Ne duhet të jemi shumë të qartë për të ditur se nuk do të kishte Hamas pa Iranin. Nuk do të kishte Hezbollah, pa Iranin. Nuk do të kishte Houthi pa Iranin dhe nuk do të kishte milicitë iraniane në Siri dhe Irak që janë duke u përpjekur për të goditur ushtarët dhe gratë tona nëse nuk do të kishte qenë për Iranin, dhe kush po e financon Iranin tani? Kina po blen naftë nga Irani? Rusia po merr drone dhe raketa nga Irani, dhe ka një aleancë jo të shenjtë. Gjëja e fundit që duhet të bëjmë është t’i tregojmë Izraelit se çfarë të bëjë. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është t’i mbështesim ata dhe të eliminojmë Hamasin.”

Por kandidatët u përplasën edhe për Kinën e Ukrainën, ndërsa përballen me një trysni për të “ngushtuar hendekun” që kanë me Donald Trump ndërsa afrojnë zgjedhjet paraprake në shtetin Ajova, një provë mes kandidatëve republikanë.

Haley, e cila ka qenë guvernatore e Karolinës së Jugut dhe ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, tha se do t’u jepte fund marrëdhënieve tregtare me Kinën “deri sa ata të ndalonin vrasjen e amerikanëve nga fentanili.”

5 kandidatët e vunë theksin tek dallimet e tyre në politikën e jashtme dhe dënuan ashpër Trump për kritikat e tij ndaj kryeministrit izraelit pas sulmit të Hamasit. Në debat morën pjesë edhe kandidatët Tim Scott, Senator i Karolinës së Jugut, Chris Christie, ish-guvernator i Nju Xhersit dhe Vivek Ramaswamy, sipërmarrës në fushën e bioteknologjisë. Duke shprehur mbështetjen për Izraelin ata deklaruan njëzëri se do të ushtronin trysni ndaj universiteteve dhe kolegjeve për të luftuar antisemitizmin.

“Çdo kampus që lejon antisemitizmin dhe urrejtjen, duke lejuar studentët të inkurajojnë terrorizmin, vrasjet masive dhe gjenocidin në mënyrë urgjente duhet t’i ndërpriten fondet.”

Mes të tjerash kandidatët sulmuan Biden për ekonominë, duke argumentuar se fokusi i tij në ndryshimin e klimës kishte ngadalësuar rritjen. Sondazhet tregojnë se votuesit janë të pakënaqur me administratën e Biden me mënyrën sesi po e menaxhojnë ekonominë, pavarësisht faktit se inflacioni është ngadalësuar ndjeshëm dhe frika për një recesion është zbehur. Ish-presidenti Donald Trump gëzon mbështetjen më të madhe mes republikanëve, me 64% mbështetje, i pasuar nga Ron DeSantis me 15 dhe Nikki Haley me 8% mbështetje, ku rivaliteti mes këtyre dy të fundit është rritur ndjeshëm javët e fundit. Partia Republikane ka caktuar mbajtjen e një tjetër debati më 6 dhjetor.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share