Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka qenë e detyruar të anulojë paraqitjen e saj të planifikuar në “Campus Festival” të Hungarisë për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë këngëtarja përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Facebook.
Në postimin e saj, Rita Ora publikoi një fotografi ku shihet e shtrirë në spital teksa merrte injeksion. Ajo shpjegoi se po trajtohet për gurë në veshka, gjë që e ka penguar të marrë pjesë në festival.
“Hungari, Festivali Campus. Mbrëmë më duhej të shkoja urgjent në spital dhe u largova në orën 7 të mëngjesit sot. Për fat të keq, jam duke pritur të kalojë një gur në veshkë. Falënderoj të gjithë mjekët dhe stafin mjekësor për durimin dhe ndihmën me dhimbjen time. Premtoj se do të kthehem së shpejti, më vjen shumë keq që nuk do të performoj sonte. Me gjithë dashurinë time, Rita”, shkroi Rita Ora në Facebook.
Ky lajm vjen pak ditë pasi këngëtarja pati një paraqitje spektakolare në festivalin ‘As Young As Vilnius’ në Lituani, ku performoi para një turme prej jo më pak se 50 mijë personash. Anulimi i papritur ka zhgënjyer shumë fansa të saj në Hungari, por shëndeti i këngëtares mbetet prioritet kryesor.
Ora premtoi se do të rikthehet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shprehu falënderimet e saj për gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë.