Artistja e njohur: Disa personazhe të suksesshëm janë me rrënjë emigrantësh
Nuk është hera e parë që artistja me origjinë shqiptare Rita Ora flet për emigrimin në Britaninë e Madhe. Në një intervistë të fundit për median britanike, “Big Issue”, Ora ka rrëfyer eksperiencën e saj si refugjate.
Pas 10 vjetësh në industrinë e muzikës, ajo mendoi se ishte e rëndësishme të përhapte histori pozitive për refugjatët dhe t’i kujtonte të gjithëve se nga vinte.
“Nëse nuk do të kisha mundësi të transferohesha në Londër dhe prindërit e mi nuk do ta bënin atë ndryshim të guximshëm, nuk do të mund të ulesha këtu dhe të flisja me ju. Dhe mbi të gjitha të bëja muzikë. Unë them me vete çdo ditë, jam shumë me fat dhe jam kaq mirënjohëse. E di që e meritoj sepse punoj shumë. Por ka shumë si unë që nuk e kanë këtë fat.”
Gjithashtu gjatë kësaj intervistë, nuk u lanë pa përmendur as edhe politikat për refugjatët, veçanërisht ata që shkojnë në Angli me gomone. Rita tha se shumë njerëz për të cilët britanikët shkruajnë dhe i shohin në ekrane kanë një histori të ngjashme si ajo.
Rita Ora ka mbështetur UNICEF në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2013, me një interes të veçantë në punën e tyre me refugjatët. Në vitin 2019, ajo u emërua ambasadore e UNICEF-it në Mbretërinë e Bashkuar.
Klan News