Rinisin bisedimet për armëpushim në Gaza

Me ndërmjetësimin e Egjiptit, Katarit dhe Uashingtonit është propozuar si fillim një armëpushim 2 deri në 4 ditë

Një tjetër përpjekje e negociatorëve për një armëpushim në Gaza ka nisur sëris në Kajro, me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit si dhe me mbështetjen Uashingtonit është propozuar si fillim një armëpushim 2 deri në 4 ditë për të përgatitur terrenin për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për të lehtësuar krizën humanitare.

Përpjekja vjen mes kërcënimeve të Izraelit për të nisur sulmin përfundimtar tokësor në Rafah, që sipas kryeministrit Benjamin Netanjahu është beteja përfundimtare për spastrimin e Hamasit nga i gjithë Rripi i Gazës. Në një intervistë, Netanjahu tha se “Linja e kuqe e Izraelit është të mos përsëritet sulmi i Hamasit i 7 tetorit”. Me këtë mënyrë iu përgjigj presidentit amerikan Xho Bajden, i cili më herët tha se nëse Izraeli nis një sulm tokësor, kjo do të përbënte kapërcim të vijës së kuqe, pasojat për të cilën nuk i specifikoi.

Fillimi i Ramazanit ishte me luftime të përgjakshme ku një sulm ajror izraelit në një shtëpi në jug të Gazës vrau 16 persona dhe plagosi disa të tjerë. Në Gazën qendrore, ushtria izraelite tha se forcat e saj kishin vrarë rreth 15 militantë në sulme ajrore. Mendohet gjithashtu se mes tyre është edhe lideri i dytë më i lartë ushtarak i Hamasit.

Ndërkaq nga Shtetet e Bashkuara u nis të Dielën, anija ushtarake që do të ndërtojë portin humanitar në brigjet e Rripit të Gazës, ngritja e të cilit pritet të zgjasë 2 muaj. Por anija me 200 ton ndihma humanitare për Gazën mbetet e ankoruar në Qipro. Një organizatë bamirëse që drejton misionin ka bërë të ditur se ajo do të lundrojë së shpejti duke parë situatën në terren. OKB-ja ka paralajmëruar më parë se një e katërta e popullsisë së Gazës është në prag të urisë dhe fëmijët po vdesin nga uria atje.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share