Rindizen sirenat e sulmeve ajrore në Kiev

Bombardime pati sërish në disa qytete në pjesën perëndimore të Ukrainës, OKB i ka cilësuar sulmet krim lufte

Sirenat e sulmit ajror janë ndezur sërish në Kiev dhe në të gjithë Ukrainën, një ditë pasi Rusia nisi disa nga sulmet më të këqija atje prej muajsh. Njerëzit janë këshilluar të qëndrojnë në strehimore dhe të mos injorojnë sirenat e sulmit ajror.

TV ukrainas raporton se forcat ukrainase thonë se kanë rrëzuar katër raketa ruse këtë mëngjes. Një sulm raketor rus ka goditur gjithashtu edhe një objekt të infrastrukturës në Lviv, në Ukrainën perëndimore, duke lënë një pjesë të qytetit pa energji.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy do t’u kërkojë liderëve të grupit të kombeve G7 që të furnizojnë Ukrainën me armë të mbrojtjes ajrore.  Nga bombardimet në Kiev të paktën 19 persona humbën jetën dhe mbi 60 të tjerë u plagosën.

Kievi dhe aleatët e tij dënuan sulmet e Rusisë, të cilat goditën kryesisht infrastrukturën civile si dhe termocentralet.  Zyrtarët ukrainas raportuan sulme edhe në qytetin juglindor të Zaporizhzhia, i cili vrau të paktën një person. Zaporizhzhia, qyteti i gjashtë më i madh i Ukrainës, ka mbetur nën kontrollin e Ukrainës gjatë gjithë luftës, pavarësisht se Rusia pushtoi pjesën më të madhe të provincës përreth.

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe liderët e tjerë të Grupit të Shtatë do të mblidhen për të mbështetur Ukrainën ushtarakisht pas sulmeve të fundit.  Udhëheqësit e G7 pritet të lëshojnë gjithashtu një paralajmërim për Bjellorusinë, aleatin më të ngushtë të Moskës, kundër përfshirjes në luftë, pasi Minsk vendosi ushtarë pranë kufirit me  Ukrainën në përgjigje të asaj që e quajti një kërcënim nga Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se Rusia mund të ketë shkelur ligjet e luftës me sulmet e saj raketore në Kiev. Sipas OKB-së goditja e qëllimshme e objektivave të tilla përbën një krim lufte. “Ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse që të përmbahet nga përshkallëzimi i mëtejshëm dhe të marrë të gjitha masat e mundshme për të parandaluar vrasjen e civilëve dhe dëmtimin e infrastructures, ”  thuhet në deklaratën e OKB-së.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share