Kanali i Ibër-Lepencit është rindërtuar, ka njoftuar të martën ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Nëpërmjet një videoje të publikuar nga vendi i ngjarjes, Rizvanolli ka thënë se rindërtimi ka ndodhur brenda një muaji.
“Kanali i Ibër-Lepencit është rehabilituar brenda një muaji”, është shprehur ajo.
Bashkë me Rizvanollin ishte edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se ata që mendojnë se mund t’i bëjnë dëm vendit, gabojnë.
“Edhe një sukses i jashtëzakonshëm, kushdo që mendon se na bën dëm, gabon rëndë”, ka thënë Sveçla.
Kanali i Ibër-Lepencit është dëmtuar nga sulmi terrorist më 29 nëntor. Ky sulm ka rrezikuar infrastrukturën kritike të vendit.