Pas një pauze dyjavore për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare të përfaqësueses së vendit tonë, më saktësisht ndeshjeve të Ligës së kombeve, futbolli vendor rikthehet këtë të diel me ndeshjet e javës së 10-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut.
Pauza u dha mundësi disa ekipeve të rikuperojnë lojtarët e lënduar, ndërkohë që të tjera skuadra e përdorën për të përgatitur formacionet dhe taktikat. Shkupi dhe Shkëndija, zgjodhën të mbajnë ritmin me ndeshje miqësore, duke u përballur me Llapin e Kosovës përkatësisht Arsimin e Çegranit ku të dy ekipet shënuan fitore.
Në ndërkohë, në Gostivar pati zhvillime të rëndësishme. Klubi i ndau rrugët me trajnerin Muarem Muarem. Edhe Besa e Dobërdollit po kalon një fazë të re, duke u stërvitur me trajnerin e ri Berat Imeri, i cili synon të injektojë energji të re në ekip. Të dielën, na presin përballje emocione. Të gjitha ndeshjet do të luhen në të njëjtën kohë, duke filluar nga ora 14:00.
Tikveshi – Shkëndija: Shkëndija është në formë të shkëlqyer dhe do të synojë të vazhdojë serinë e fitoreve, ndeshja do të luhet në qytetin e Shtipit, pasi ekipi nga Kavadari është i detyruar të luajë jashtë fushës së vet për shkak të pezullimit.
Pelisteri – Shkupi: Shkupi do të kërkojë të marrë tre pikët e plota në Manastir për të forcuar pozitat në renditje, nga ana tjetër Pelisteri do të bëjë gjithçka për të ndalur Shhkupin, por njëkohësisht edhe për të ikur nga fundi i tabelës.
Struga – Sileksi: kjo përballje pritet të jetë duel interesant, mes dy ekipeve që po luftojnë për të hyrë në mesin e treshes së parë, me Strugën që është favorite në terren vendas.
Besa – Vardari: Besa, tashmë me trajner të ri, do të synojë një fillim të ri përballë një Vardari që është në kërkim të stabilitetit, pas tri disfatave radhazi, ndërsa Besa në tri ndeshjet e fundit nuk ka pësuar disfatë.
AP Brera – Voska Sporti: Voska është e fundit në tabelë dhe do ta ketë shumë të vështirë në duelin me Breran në Strumicë.
Rabotniçki – Gostivari: Kryesuesi i kampionatit, Rabotniçki, synon të mbrojë pozicionin e parë përballë Gostivarit. Vetëm dy pikë është diferenca mes dy ekipeve dhe kjo do të jetë derbi i javës së dhjetë.
Në tabelë Rabotniçki mban vendin e parë me 19 pikë, i ndjekur nga Shkëndija me 18 pikë, ndërsa Gostivari qëndron në vendin e tretë me 17 pikë. Kjo e diel pritet të sjellë shumë dinamizëm në garën për kreun e tabelës, por edhe për ato ekipe që luftojnë të sigurojnë pikë të rëndësishme për t’u larguar nga fundi i renditjes. /Telegrafi/