Ministri i ri i Administratës Publike, Goran Minçev, njoftoi për riformatim të administrates Publike. Minçev gjithashtu bëri të ditur se do të miratohen ligje që nuk do të jenë makijazh dhe dekor.
Ministri i ri i Administratës Publike, Goran Minçev, ka shpallur sot një vizion të ri për të riformatuar administratën publike në RMV . Duke u fokusuar në efikasitetin dhe transparencën, ai ka prezantuar planet për themelimin e një Agjencie të re për zhvillimin profesional të punonjësve administrativë, e cila do të përgatisë ata për sfidat e reja të sektorit publik. Ministri Minçev gjithashtu ka konfirmuar planin për tërheqjen e disa ligjeve të vjetra, duke synuar një legjislacion më të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm për nevojat e sotme.
“E bëj me dije, se të gjitha zgjidhjet e mira që tashmë janë pjesë e ligjeve do të mbeten, por mendoj se është e nevojshme edhe një herë përmes një procesi transparent dhe konsultativ të miratohen ligje të qëndrueshme. Ligjet që nuk do të jenë thjesht “makijazh dhe dekor”, por do të jenë sistematike dhe të përshtatura për t’iu përgjigjur sfidave dhe mundësive të reja për të pasur një administratë publike profesionale, të departamentizuar dhe të motivuar, natyrisht duke respektuar standardet dhe parimet e SIGMA-s.” deklaroi Minçev.
Përveç kësaj, ministri Minçev tha se ka konsultuar me përfaqësues të shoqërisë civile, sindikata dhe organizata ndërkombëtare për të siguruar që ligjet e reja të përputhen me standardet e kërkuara ndërkombëtare dhe të adresojnë nevojat reale të sektorit publik.
“Në periudhën e kaluar si ministër kam pasur disa takime me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, sindikatave, si dhe organizatave ndërkombëtare, të cilët natyrisht kanë theksuar nevojën e finalizimit të ligjeve, pas së cilës kanë pasur vërejtje thelbësore. Ne patëm një takim edhe me ambasadorin evropian David Geer, ku e informova se do të tërheqim ligjet, por nuk do të rrezikojmë agjendën evropiane.” tha ministri Minçev.
Minçev gjithashtu shtoi se një nga pikat kyçe të propozimit është themelimi i një Agjencie për zhvillimin profesional dhe trajnimin e nëpunësve administrative. /tvklan.mk