REZOLUTAT E BDI-së DHE NDARJA E RMV-së NË RAJONE
Pamflet politik në përpjekje për të fshehur dhe mbrojtur krimin. Kështu I ka vlerësuar Kryeministri Mickoski Rezolutat e BDI-së që kanë për qëllimin mbrojtjen e legjitimitetit të popullatës shqiptare për shkak të shqetësimeve për nënçmim dhe margjinalizim të shqiptarëve me injorimin e vullnetit të tyre në procesin e vendimarrjes.
I pyetur të komentojë mundësinë për ndarjen e Maqedonisë në rajone sipas modelit të Belgjikës dhe Irlandës së Veriut, ku sic u njoftua, mbi këtë çështje po punojnë ekspertë ndërkombëtarë dhe autorët e Marrëveshjes së Ohrit, Mickoski tha se me kësi përpjekjesh BDI-në askush nuk e merr seriozisht.
“Tani ata përpiqem që në opinion të paraqiten me politikën e dezintegrimit, cënimit të karakterit unitar. Unë mendova se do të marrin mësime dhe do të kërkojnë falje për Qendrën Tregtare në Shkup, për automjetet “Majbah” dhe “Rols Rojs”, se si instant-firma importojnë miliona, tenderë, për gjykatës dhe prokurorë të kurdisur. Vetëm kështu seriozisht do t`i kuptojmë. Gjithë këto tjerët, më falni, unë i kuptoj si përpjekje që të mbrohet krimi”, tha Mickoski.
Analizat e BDI-së për mundësinë për ndarjen e Maqedonisë në rajone sipas modelit të Belgjikës dhe Irlandës së Veriut, I ka komentuar edhe Arben Taravari. Sipas tij, BDI-ja po dështon edhe në opozitë.
“Është interesante se si BDI-ja pas 22 vjetësh, për herë të parë kujtohet sot se si do të ishte një zgjidhje territoriale adekuate për Maqedoninë.
Nuk është 1 as 2 por 22 vjet vonesë…
BDI-ja po dështon edhe në Opozitë…” – shkruan Taravari në Facebook.
Kohë më parë, BDI-së miratoi tri Rezoluta – që kanë të bëjnë me respektimin e parimit të legjitimitetit në kontekst të dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit dhe për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjeve të Ohrit, Prespës dhe Traktatit të Miqësisë me Bullgarinë.
Sic u konfirmua në një press-konferencë, një nga autorët e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, amerikani Pol Uilijams, do të jetë njëri nga ata që do të angazhohet nga BDI-ja për të saktësuar zgjidhjen ligjore ose kushtetuese për Marrëveshjen e Majit, respektivisht legalizimin e koalicionit ndërpartiak sipas parimit fituesi me fituesin./tvklan.mk/