Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë/ Osmani: Dënimi i gjenocidit – detyrë njerëzore!

Iniciativa për shpalljen e 11 korrikut ditë ndërkombëtare për përkujtimin e gjencocidit në Srebrenicë, do të paraqitet sot para asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ndërsa më 2 maj do të zhvillohet votimi.

Ministri i Jashtëm, njëherit edhe Kandidati Presidencial i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, duke komentuar sot reagimet nga pala serbe në lidhje me bashkësponzorizimin e kësaj iniciativa nga ministria e Jashtme e vendit, tha se me këtë nuk synohet që të krijohet armiqësi.

Ai njoftoi se dje është zhvilluar një takim me ambasadoren serbe, në të cilin ambasadores i është përcjellë ky qëndrim.

“Fare ky vendim nuk ka të bëjë me Serbinë ose me popullin serb. Por, ka të bëjë me një gjenocid i cili është i kryer dhe i identifikuar si i tillë nga të gjitha gjykatat ndërkombëtare dhe ne nuk guxojmë atë ta harrojmë por është në funksion të pajtimit ndërmjet popujve, për shkak se nuk ka pajtim pa pranim të krimeve të cilat janë bërë”, tha Bujar Osmani.

Osmani pret që rezoluta të merr mbështetjen e vendeve anëtare të OKB-së, duke thënë se pa pranimin e gjenocidit në Srebrenicë, nuk mund të ketë pajtim mes dy popujve.

“Në këtë rezolutë ftohen Kombet e Bashkuara fillimisht të shpallin ditën ndërkombëtare por, gjithashtu edhe të dënojnë mohimin e gjenocidit dhe të dënojnë glorifikimin e kryerësve të veprave të gjenocidit si dhe inkurajojnë shtetet që në sistemet e tyre arsimore t’i mësojnë për këtë gjenocid, për pasojat, me qëllim që ajo të mos përsëritet asnjëherë”, tha Bujar Osmani.

Kujtojmë se, në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë Ushtria e Republikës Sërpska e udhëhequr nga Radovan Karaxhiç vrau më shumë se 8,000 boshnjakë myslimanë, kryesisht burra dhe djem.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid.

Masakra e Srebrenicës konsiderohet si ndër më të rëndat në Evropë, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share