Revolucion në horizont pas katastrofës europiane

Dridhet pankina e Galtier, Messi e Mbappe në dyshim për vazhdimësinë

Makthi i PSG në Champions League ka vijuar edhe këtë sezon. Francezët nuk arritën që të kryenin përmbysjen e madhe në Gjermani, duke i dhënë lamtumirë kompeticionit në raundin e 1/8-ave. Ecuri e ngjashme me atë të edicionit të shkuar, kur u eliminua nga Real Madrid. Pankina e Christoffer Galtier është më e lëkundshme se kurrë, aq sa presidenti Nasser Al-Khelaifi ka kërkuar takim me stafin teknik për të analizuar situatën dhe ndoshta për shkarkimin e menjëhershëm të trajnerit.

Bashkë me largimin e Galtier edhe skuadra mund të përballet me një revolucion të vërtetë. Me valixhe në duar janë dyshja e sulmit, Lionel Messi e Kylian Mbappe, por edhe braziliani Neymar. Argjentinasi pritet të mos pranojë rinovimin me kryeqytetasit, kjo pas zhgënjimit dhe dështimit të 35-vjeçarit për të ngjitur PSG në majën e futbollit Europian.

Ky sezon mund të jetë i fundit me fanellën e francezëve dhe për Kylian Mbappe. Sulmuesi besonte se me PSG-në do kurorëzohej fitues i Ligës së Kampionëve dhe tani në horizont shfaqet largimi. Prej kohësh në gjurmët e tij gjendet Real Madrid. Për dështimin në Europë këtë sezon më pak fajtor mund të cilësohet Neymar, i dëmtuar, gjithsesi, në “Parc des Princes” po mendohet shitja e brazilianit që në 6 sezonet e fundit ka qëndruar më shumë në spitalet franceze.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share