Reshjet e borës – RMV-ja në alarm “portokalli”/ Shpëtohen 6 të bllokuar, dy viktima nga zjarri, rrugë të bllokuara, ekipe në terren..!

Pesë fëmijë dhe një I rritur janë tërhequr nga fshati Rajçani i Koçanës, për shkak se ishin bllokuar nga dëbora. QMK-ja kishte alarmuar Policinë e Shtipit dhe në mesditë ekipet e shpëtimit kishin kryer me sukses misionin.

Qendra për Menaxhim me Kriza kishte njoftuar edhe për një ngjarje tjetër, fatkeqësisht me epilog tragjik.

Në Kriva Pallankë është djegur një shtëpi, ku si viktima kishin mbetur një çift bashkëshortor të moshuar.

Këto janë disa nga ngjarje që shënuan ditën e kësaj të diele kur vendi është mbërthyer nga reshje të dendura të dëborës.

Edhe pse reshjet u paralajmëruan para një jave, sërish kanë shkaktuar probleme në trafik. Sipas Lidhjes Auto-Moto të Maqedonisë, në fuqi janë disa ndalesa për lëvizje për automjetet e rënda të transportit.

“Rrugët e Maqedonisë me mekanizimin e gjithmbarshëm dhe fuqinë punëtore është në terren dhe po kryen pastrimin e rrugëve shtetërore. Në dispozicion janë vënë edhe “persona të tretë”, kompani që bashkëpunojnë me NP “Rrugët e Maqedonisë” për të pastruar dëborën në rrugët magjistrale dhe rajonale” thonë nga NP Rrugët e Maqedonisë.

Por, në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, situata me rrugët lë shumë për të dëshiruar.

Nga Komuna e Gostivarit përmes një postimi në Facebook, thonë se me fillimin e reshjeve intensive të borës, kompania e kontraktuar, e mbështetur nga ndërmarrjet publike, është në terren që nga orët e hershme të mëngjesit. Të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe komunikacioni zhvillohet pa ndërprerje. Komuna e Gostivarit u bënë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe që të mos përdorin automjetet e tyre nëse nuk është e domosdoshme.

Angazhimi i institucioneve kompetente për mirëmbajtjen e rrugëve në kushte dimri, ka qenë cak i kritikave dhe akuzave partiake.

LSDM-ja thotë se paaftësia e VMRO-DPMNE-së në përballjen me pasojat e reshjeve të borës po shndërrohet në kërcënim për sigurinë e qytetarëve. Socialdemokratët përmendin, sic thonë kaosin në trafik, por edhe ngrirjen e autostradës drejt Greqisë.

“Para disa ditëve qytetarët ishin të bllokuar me kolona me kilometra në Mavrovë. Kaosi ndodhi edhe në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit. Rruga drejt Galiçnikut mbetet i pakalueshëm më shumë se një muaj, duke lënë banorët në izolim të plotë. Qeveria e Mickoskit dështoi edhe me borën, duke vënë qytetarët në rrezik serioz” – thonë nga LSDM.

Kundërpërgjigjen nga VMRO-DPMNE-ja me akuza se socialdemokratët po përpiqen të fitojnë pikë politike edhe nga dëbora në janar. Thonë se faktet flasin ndryshe.

“Njësia e Manastirit ka vënë 370 m3 kripë dhe rërë, nga Tetova në Strazhë – 400 m3 kripë dhe rërë, Shtipi, Berova, Koçana dhe Dellçeva me 300 m3 kripë dhe rërë. Politika e LSDM-së dhe Venko Filipçes nga stuhia e dëborës po bëjnë politike, ku vetëm se konfirmohet se po fundosen në mungesën e tyre të ideve” – thonë nga VMRO.

Reshjet e dëborës do të vazhdojnë edhe ditëve të ardhshme, kurse për shkak të temperaturave të ulëta dhe erës së përforcuar veriore do të ketë paraqitje të ngricave rrugore.

Institucionet kompetente bëjnë thirrje që qytetarët ta ndjekin parashikimin e motit dhe të përgatiten për kushte dimri. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share