Republikanët propozojnë Jim Jordan për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve

Ai mori 124 vota në votimin e fshehtë të Partisë Republikane

Pas shkarkimit të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin MaCarthy, ligjvënësit republikanë zgjodhën përmes një votimi të ri të brendshëm Jim Jordan si kandidatin e tyre të ri për të marrë këtë post.

Ligjvënësi nga Ohajo, Jim Jordan, do të përpiqet të bashkojë republikanët e përçarë që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve përpara një votimi përfundimtar, i cili mund të shtyhet për javën që vjen.

Republikanët votuan 124-81 për të emëruar ligjvënësin Jordan në postin e lartë të Kongresit amerikan ndërsa demokratët mbështesin udhëheqësin e tyre, Hakeem Jeffries.

Jordan, një aleat i ish-Presidentit Donald Trump nuk ka mbështetjet e demokratëve të cilët e kanë cilësuar atë një ekstremist.

Beteja ka qënë e ashpër mes republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve për zgjedhjen e drejtuesit të partisë pas shkarkimit të paprecedentë të McCarthy nga një numër i vogël ligjvënësish të vijës së ashpër.

Dhoma e Përfaqësuesve po hyn në javën e dytë pa një kryetar dhe si pasojë nuk mund të funksionojë. Ndërkaq po rritet trysnia politike mbi republikanët për të ndryshuar kurs dhe për të rivendosur kontrollin e shumicës e për të siguruan funksionimin normal të Dhomës.

Një nga arsyet lidhet me buxhetin për të financuar qeverinë, gjë që nëse nuk ndodh, rrezikon mbylljen e saj brenda një muaji. Po kështu, Shtëpia e Bardhë pritet të kërkojë së shpejti fonde për Izraelin, Ukrainën dhe mbushjen e rezervave amerikane me armë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share