Prençe: Kemi 20% humbje, qeveria dhe BSH duhet të marrin masa konkrete
Rënia drastike e Euros, duke arritur në nivelin më të ulët të këmbimit të regjistruar ndonjëherë me105 lekë, ka rënduar edhe më shumë situatën e eksportuesve dhe jo vetëm. Kreu i shoqatës “Proeksport” Edvin Prençe thotë se sektori i fasonerisë është në krizë.
“Shpresojmë mos të ndodhë, por mendojmë se Euro do të shkojë të paktën 100 lekë, gjë që realisht do të ishte shumë problematike për të gjithë sektorët eksportuesë, por mos të harrojmë dhe turizmin që tashmë është në nisje të sezonit. Me ulje të Euros po flasim për një normë të humbur, rreth 20%.”
Ministria e Financave për t’u ardhur në ndihmë eksportuesve si sektori më i prekur nga zhvlerësimi i Euros vendosi shtyrjen e pagesave të tatimfitimit dhe rimbursimi i TVSH-ës brenda 3 ditëve, por kjo sipas eksportuesve është e pamjaftueshme. Sipas tij vendet si Maqedonia e Veriut dhe Serbia që e kanë kursin e këmbimit të fiksuar nuk kanë probleme të tilla.
“Nuk është se nuk janë lehtësuese këto ndërhyrje, por ishin në kohën e zgjedhjeve dhe sot kërkohet një ndërhyrje reale, e drejtë. Po flasim për një sektor që ka qenë në 30 vite shumë i rëndësishëm dhe është e nevojshma dora e shtetit, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë.”
Sektori i fasonerisë veç krizës së Euros, po vuan dhe mungesën e punonjësve.
“Shumë brand-e të huaja tashmë po largohen duke e parë si një vend që nuk e ka më aftësinë të jetë konkurrues në krahasim me Maqedoninë, Serbia apo edhe vendet e Afrikës si Tunizia dhe Maroku.”
Shoqatat e eksportuesve janë duke zhvilluar takime të njëpasnjëshme në lidhje me situatën e kursit të këmbimit, dhe pritet të dalin me një listë kërkesash për qeverinë.
Klan News