Përfaqësues të pakicës shqiptare në Serbi kanë vendosur t’i ftojnë qytetarët të marrin pjesë në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë, duke e parë atë si shans për të përcaktuar numrin real të shqiptarëve në këtë vend.
Pas shtyrjes prej një viti, për shkak të pandemisë së koronavirusit, regjistrimi i popullsisë në Serbi do të bëhet në tetor, ashtu si edhe i familjeve dhe banesave. Ky është sondazhi më i madh statistikor, që bëhet çdo dhjetë vjet.
Regjistrimi i mëparshëm në Serbi, i bërë në vitin 2011, është bojkotuar nga komuniteti shqiptar për shkak se formularët kanë qenë të shtypur në gjuhën serbe, me alfabet cirilik.
Si arsye shtesë, përfaqësuesit e komunitetit kanë përmendur edhe problemet e pazgjidhura dhe obligimet e papërmbushura të shtetit në pjesën e Serbisë, ku kryesisht jeton pakica shqiptare.
Përfaqësuesit e komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës në Serbinë jugore, udhëheqësit e partive politike dhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve kanë nënshkruar një marrëveshje më 25 korrik – në një takim të mbajtur në Bujanoc – me të cilën kanë konfirmuar pajtimin e tyre për të marrë pjesë në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë.
Sali Salihi, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, thotë për Radion Evropa e Lirë se dokumenti është nënshkruar nga udhëheqësit e të gjitha partive shqiptare.
Ai, po ashtu, thotë se së shpejti do të bëhet një thirrje e përbashkët për qytetarët shqiptarë, që t’i përgjigjen thirrjes për regjistrim.
Ragmi Mustafi, kryetar i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, thotë se shqiptarët e kanë bojkotuar regjistrimin e fundit edhe për faktin se, sipas tij, dy regjistrimet e mëparshme të popullsisë në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës janë manipuluar, për të zvogëluar numrin e shqiptarëve.
“Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, kushtet janë përmirësuar dukshëm. Para së gjithash, formularët e rinj përfshijnë edhe rubrikën për kombësinë. Formularët janë dygjuhësh dhe të shtypur edhe në gjuhën shqipe – gjë që nuk ka qenë më herët”, thotë Mustafi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se në mesin e regjistruesve ka një numër të madh shqiptarësh. Po sipas tij, është mundësuar që të gjithë qytetarët të marrin pjesë në regjistrim, pavarësisht nëse kanë letërnjoftim ose jo./REL