Regjistrimi i automjeteve në Maqedoninë e Veriut po shtrenjtohet. Qytetarët do të duhet të ndajnë më tepër para për regjistrimin e veturave, pasi kompanitë e sigurimeve i rritën shumat për policën e sigurimit të detyrueshëm.
Çmimi i një police për auto-përgjegjësi u rrit për 15.4 për qind. Respektivisht, nëse deri më tani për veturë prej 44 deri në 55 kilovat paguhej 5.453 denarë, çmimi i ri do të jetë 6.292 denarë. Rritja e çmimit është proporcionale në varësi të kapacitetit të motorit që ka automjeti. Çmimi nuk do të ndryshohet vetëm për automjetet që kanë deri në 44 kilovat.
Ndryshojnë edhe shtesat për polisën e auto-përgjegjësisë – shtesa për automjetet taksi mbetet 30%, por shuma rritet, duke pasur parasysh rritjen e çmimit.
E njëjta gjë vlen edhe për tarifat shtesë për automjetet “rent”, për automjetet me më shumë se pesë ulëse, automjetet për ngarkesë, si dhe tarifën shtesë për të siguruarit, që llogaritet sipas moshës së personit në emrin e të cilit është polica.
Kompanitë e sigurimeve kanë marrë informacionin për rritjen e çmimit të hënën. Ata janë njoftuar nga Byroja Kombëtare e Sigurimeve. Kompanitë e sigurimit justifikojnë rritjen e çmimit, me rritjen e çmimit të automjeteve. Por nuk ka përgjigje se pse qytetarët nuk janë informuar për ndryshimet në fjalë.