Regjisori hollivudian, James Cameron – i cili drejtoi filmin e vitit 1997, Titanik – ka thënë se e ka përjetuar shumë afër zemrës humbjes e nëndetëses Titan. Ai vetë është zhytur 33 herë deri në rrënojat e Titanikut.
Nëndetësja Titan, e cila u zhduk më 18 Qershor, besohet të ketë shpërthyer dhe si pasojë e kësaj operatori i anijes, OceanGate, tha më 22 Qershor se të pesë pasagjerët në bordin e nëndetëses besohet se kanë vdekur, sipas operatorit të anijes, OceanGate.
Në një intervistë për transmetuesin britanik BBC, Cameron tha se disa persona brenda komunitetit të zhytësve i kishin shkruar një letër OceanGate duke thënë se besonin, sipas fjalëve të Cameronit, se kompania “po shkonte drejt katastrofës”.
Cameron sugjeroi gjithashtu se kishte një “ironi të tmerrshme” në humbjen e Titanit dhe ekuipazhit të tij, duke e krahasuar atë me humbjen e vetë Titanikut në vitin 1912.
“Tani kemi një tjetër rrënim që bazohet për fat të keq në të njëjtat parime të mosdëgjimit të paralajmërimeve”, tha ai. “OceanGate ishte paralajmëruar”.
Ai tha se nga kompania ishin larguar nga puna shumë, por ai nuk specifikoi pse.
Cameron nuk është i pari që ka ngritur shqetësime lidhur me aktivitetet e kompanisë turistike OceanGate.
Një letër dërguar OceanGate nga Shoqëria e Teknologjisë Detare (MTS) në mars të vitit 2018 dhe e marrë nga Neë York Times thoshte se “qasja aktuale ‘eksperimentale’ e miratuar nga OceanGate… mund të çojë në rezultate negative (nga të vogla në katastrofike)”.
Edhe dokumentet e një gjykate amerikane tregojnë se një ish-punonjës i OceanGate paralajmëroi për probleme të mundshme të sigurisë qysh në vitin 2018.
Dokumentet tregojnë se David Lochridge, drejtori i operacioneve detare të kompanisë, ngriti shqetësime në një raport inspektimi.
Një zëdhënës i OceanGate nuk pranoi të komentojë mbi çështjet e sigurisë të ngritura nga Lochridge dhe MTS-ja.
Cameron tha se ai ishte në një anije të dielën kur nëndetësja u zhduk dhe nuk e mori vesh lajmin për zhdukjen e saj deri të hënën.
Kur mësoi se nëndetësja kishte humbur navigimin dhe komunikimin në të njëjtën kohë, ai tha se dyshoi menjëherë se kishte ndodhur një fatkeqësi.
“Ndjeva në trupin tim atë që kishte ndodhur. Të dështojnë elektronika e nëndetëses, sistemi i saj i komunikimit dhe transponderi gjurmues njëkohësisht – nëndetësja është e humbur”, tha Cameron duke shtuar se “mund të humbasësh komunikimet dhe navigimin së bashku pa një ngjarje katastrofike ekstreme”.
Ai tha se menjëherë i shkoi mendja se mund të kishte ndodhur një shpërthim. /REL