Refuzimi i referendumit: ”E Majta” padi kundër Xhaferit

“AI KA VEPRUAR NË KUNDËRSHTIM ME KUSHTETUTËN DHE RREGULLOREN”

Partia “E majta” e Dimitar Apasievit ka paraqitur padi penale kundër kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi në lidhje me refuzimin e nismës për referendum për shfuqizim të Marrëveshjes me Bullgarinë. Nga kjo parti kanë thënë se, Xhaferi me vetë dëshirë dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren ka pamundësuar zbatimin e iniciativës qytetare në nivel shtetëror për mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për shpalljen e referendumit, raporton Klan M.

“I denoncuari ngarkohet se, me qëllim dhe paramendim, përmes refuzimit antikushtetues, antiligjor dhe antirregullores të iniciativës korrekte qytetare – të dorëzuar nga ana e një grupi prej 646 qytetarët, në formularin e caktuar nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve – ka kryer vepër të rëndë penale kundër sistemit zgjedhor – pengim të zgjedhjeve dhe votimit, të dënuar sipas nenit 158, paragrafi 1 nga Kodi Penal, me dënim minimal me burg prej më së paku tre vite” – thonë nga partia ”E Majta”

“E majta” vlerëson se, kryeparlamentari nuk është kompetent për vlerësimin e iniciativës për shpallje të referendumit, por ai mundet të vlerësoj vetëm korrektësinë e saj nga aspekti formalo – juridik.

“Xhaferi ka qenë i obliguar që çështje ta vendosë në seancë plenare në Kuvend, sepse vetëm ajo ka kompetencë kushtetuese dhe materiale të vlerësojë nëse e njëjta do të vazhdojë apo do të ndalet, sepse vetëm Kuvendi në përbërje të plotë, në seancë plenare, është kompetent ad meritum të vendosë për korrektësinë apo jo korrektësinë e iniciativës së dorëzuar qytetare – përmes sjelljes së aktit juridik nënligjor të quajtur “Konkluzion” ( dhe jo “njoftim”) – thonë nga e Majta.

Kujtojmë se, VMRO – DPMNE javën e kaluar i dorëzoi Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve nismën qytetare për referendum të obligueshëm për shfuqizim të Marrëveshjes me Bullgarinë dhe më pas, nismën me mbi 100 nënshkrime të mbledhura, e dorëzoi edhe në Kuvend. Por, kryeparlamentari, Talat Xhaferi të martën hodhi poshtë atë me arsyetimin se nuk është në përputhje me Kushtetutën. Ai duke cituar nenin përkatës, sqaroi se marrëveshjet ndërkombëtare që ratifikohen në përputhje me Kushtetutën nuk mund të ndryshohen me ligj. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share