NË FOKUS REKOMANDIMET DHE VËREJTJE E OSBE/ODIHR-it
Grupi i punës për reforma zgjedhore ka mbajtur sot seancën konstituive ku kryetar u zgjodh Aleksandar Novakovski, ekspert dhe ish-kryetar i KShZ-së, njofton KlanM.
Ky grup punues fillimisht do të fokusohet në miratimin e ndryshimeve që kanë të bëjnë me rekomandimet dhe vërejtjet e OSBE/ODIHR-it dhe më pas pritet të përpilohet një kod i ri zgjedhor.
“Unë jam optimist për mënyrën e punës sepse shoh që përfaqësues në këtë grup punues janë persona të cilët janë nga kjo fushë dhe të cilët kohë të gjatë punojnë në këtë materie dhe shpresoj se, do të dalim me propozim dhe do të arrijmë t’i respektojmë afatet që janë të përcaktuara me disa standarde evropiane që këto ndryshime të zbatohen në periudhë 6 muaj para zgjedhjeve” – tha Aleksandar Novakovski, kryetar i grupit të punës.
I pyetur nëse në kuadër të këtij grupi punues do të ndryshohet edhe modeli zgjedhor, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, sic njofton KlanM, tha se kjo nuk është prioritet.
“Të gjitha vërejtjet që janë vënë në raportit e OSBE/ODIHR-it do të inkorporohen. Sot biseduam për modalitetin se si do të jepen zgjidhje këto dhe do të diskutohen nga ana e ekspertëve por edhe nga ana e institucioneve tjera dhe mendoj që do të kenë zgjidhje konkrete ligjore për këtë punë” – deklaroi Krenar Lloga, ministër i Drejtësisë.
Ndërkaq, përfaqësuesi i BDI-së Arbër Ademi, tha se janë të hapur që mbi bazë të argumenteve të diskutojmë për çfarë do lloj modeli.
“Në radhë të parë na duhet konsensus, konsensus i gjerë ndëretnik e ndërpartiak i cili do të pasqyrojë realitetin heterogjen të shoqërisë. Sot nuk u lëshuam në diskutime që kanë të bëjnë me modeli zgjedhor dhe ky grup punues nuk është i themeluar ekskluzivisht të diskutojë vetëm për këtë çështje, por edhe shumë çështje të tjera që janë të një rëndësie jetike” – tha Arbër Ademi.
VMRO – DPMNE, sic njofton KlanM, nuk i është përgjigjur ftesës që të merr pjesë në këtë grup punues. Megjithatë, ata propozojnë që në kuadër të ndryshime në kodin zgjedhor, të vendoset modeli me një njësi zgjedhore. Ministri Lloga i bëri thirrje VMRO-DPMNE që t’i bashkëngjiten grupit punues dhe aty t’i parashtrojnë të gjitha propozimet dhe iniciativat për reforma në legjislacionin zgjedhor. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Teuta Buçi