Brenda Kremlinit ka zëra se ka nisur spastrimi i puçistëve, të cilët ishin në djeni të rebelimit
Rebelimi i fundit në Rusi ka ekspozuar pasiguri të mëdha në Rusi. Por çfarë do të thotë ajo për luftën në Ukrainë dhe çfarë ndodh tani me Wagnerin, mercenarët që u rebeluan?
Ishte sfida më serioze deri më tani për qeverisjen e Presidentit Putin. Por nëse kryengritja do të vijonte mund të kishte qenë një luftë civile katastrofike në një vend me arsenalin më të madh në botë të armëve bërthamore.
Banorët folën hapur për rrjedhën e ngjarjeve, ndërsa përpiqen të kuptojnë dhe shpjegojnë rëndësinë e asaj që panë. Dmitry, i cili jeton afër qytetit, i tha agjencisë Reuters se situata vë në dukje disa probleme shtetërore, por shprehet i lumtur që mercenarët u shpërndanë pa luftë.
“Ishte e frikshme dhe përfundoi disi papritur. Të gjithë janë të kënaqur që nuk ndodhi asgjë e keqe, në fund, nuk pati përplasje ushtarake dhe Prigozhin me luftëtarët e tij thjesht u larguan në kampet e tyre.”
Disa prej tyre e dënuan ndërsa të tjerë e lavdëruan themeluesin e Wagner, Yevgeniy Prigozhin pasi mercenarët anuluan kryengritjen e tyre.
“Ai është një njeri normal, por është në vendin e gabuar. Por vërtet mendoj se gjithçka që ai bën është për të mirën e vendit.”
“Jo, nuk u tremba, nuk do të shkoj askund, as miqtë e mi. Kishte një hutim, jo konfuzion, por një mosmarrëveshje me vendimet e marra si bllokimi i qytetit për shembull, ndoshta nuk duhet ta bënin. Kanë krijuar një shqetësim te populli.”
Prigozhin, një ish-aleat i Putinit dhe ish i dënuar, tha se vendimi për të marshuar në Moskë lidhej me largimin e komandantëve të korruptuar dhe të paaftë të ushtrisë, të cilët ai i fajëson për dështimin e luftës.
Ndër të parët që reagoi pas rebelimit të mercenarëve të njësisë Vagner ishte presidenti ukrainas Volodimyr Zelensky, ushtria e të cilit është përballur në beteja të ashpra me ta në territorin e Ukrainës.
“Së pari, bota nuk duhet të ketë frikë. Ne e dimë se vetëm uniteti ynë na mbron. Me këtë rebelim bota pa që bosët e Rusisë nuk kontrollojnë asgjë. Asgjë. Kaos i plotë. Kjo po ndodh në territorin rus, i cili është plotësisht i mbushur me armë. Njeriu nga Kremlini është padyshim shumë i frikësuar dhe ndoshta fshihet diku, duke mos u shfaqur.”
Por aleatët perëndimorë nuk janë aq të qetë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se trazirat në Rusi mund të mos kenë mbaruar dhe mund të duhen muaj për të parë gjendjen më qartë.
“Mendoj se po shohim shfaqjen e të çarave të para të pushtetit. Është shumë e vështirë të thuhet se deri ku shkojnë këto çarje. Nuk dua të spekuloj, por nuk mendoj se kemi parë aktin e fundit.Ky është një dështim strategjik shkatërrues për Putinin në pothuajse çdo front – ekonomik, ushtarak, gjeopolitik.”
Ngjarjet në Rusi kanë treguar se lufta në Ukrainë ka thelluar ndarjet në Rusi, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Ne të gjithë i pamë ngjarjet në Rusi. Këto janë çështje të brendshme ruse. Por ajo që është e qartë është se lufta e Putin kundër Ukrainës ka thelluar ndarjet dhe ka krijuar tensione të reja në Rusi. Por ne nuk duhet të nënvlerësojmë Rusinë, kështu që është edhe më e rëndësishme që ne të vazhdojmë t’i ofrojmë Ukrainës mbështetjen tonë. Por ajo që mund të themi është se ne sigurisht po i monitorojmë nga afër zhvillimet dhe tashmë kemi rritur gatishmërinë tone dhe prania ushtarake në pjesën lindore të aleancës.”
Presidenti Putin është përballur me një dilemë. I dislokuar në Siri, Libi dhe disa vende afrikane, Wagner projekton fuqinë dhe ndikimin strategjik rus në mbarë globin, dhe gjatë gjithë kohës nën maskën e pretendimit se nuk ka të bëjë fare me Kremlinin. Vetëm kohët e fundit, Putini më në fund ka pranuar se Wagner është financuar nga shteti në shumën prej miliarda rubla.
Duke i dhënë fund kryengritjes, luftëtarët e grupit Wagner u kthyen në bazat e tyre në këmbim të garancive për sigurinë e jetës. Udhëheqësi i tyre, Yevgeny Prigozhin, u transferua në Bjellorusi sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko.
Një avion në pronësi të themeluesit të ushtrisë private ruse Wagner, Yevgeny Prigozhin arriti në Bjellorusi duke dhënë shenjën e parë të fillimit të jetës së tij në ekzil me ftesë të presidentit Aleksandër Lukashenko.
Menjëherë pas arritjes së Prigozhinit në Bjellorusi, agjencia ruse e lajmeve RIA raportoi se autoritetet pushuan akuzat penale kundër anëtarëve të grupit Wagner dhe vetë themeluesit të tij. Sipas agencisë RIA, armët e rënda të ushtrisë private Wagner po përgatiten për t’u transferuar në njësitë aktive të Forcave të Armatosura të Rusisë.
Agjencitë amerikane të spiunazhit kishin marrë paralajmërime për kryengritje të planifikuar. Instituti i Studimit të Luftës në Uashington thotë se palët e përfshira në marrëveshjen për t’i dhënë fund rebelimit të shkurtër të Grupit Wagner, përfshirë diktatorin bjellorus Alexander Lukashenko, mund të jenë ende duke negociuar.
Kryengritja e rrufeshme e Wagnerit dukej se u zhvillua kundrejt një reagimi të dobët nga ana e forcave te armatosura të Rusisë, duke ngritur pikëpyetje rreth mbajtjes së pushtetit të Putinit në vendin e armatosur me armë bërthamore.
Pasi ushtria private Wagner u shpërbë, presidenti Vladimir Putin doli si fitimtar para forcave të rendit dhe të ushtrisë të cilët i falenderoi për shmangien e një lufte civile duke vepruar me shpejtësi për të kundërshtuar kryengritjen e nisur nga shefi i mercenarëve Yevgeny Prigozhin. Duke folur me ushtarët dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit në Kremlin, Putini vlerësoi veprimet e tyre, duke thënë se ” në mënyrë efektive ndaluat një luftë civile”.
“Ushtria ruse qëndroi kundër trazirave që do të çonin në kaos. Ju në fakt e ndaluat luftën civile, keni vepruar në mënyrë të qartë dhe koherente. Pilotët që vdiqën gjatë rebelimit e përmbushën me nder detyrën e tyre. Kujtimi i tyre u nderua me një minutë heshtje. Gjatë tentativës së rebelimit, njësitë luftarake të përfshira në zonën e operacionit special nuk duhej të largoheshin. Ushtria dhe populli nuk ishin me kryengritësit. Puna e forcave të sigurisë parandaloi viktimat civile gjatë rebelimit.”
Putini i përdori gjithashtu fjalimet e tij pas shuarjes së rebelimit për të nënvizuar se problemet e brendshme në Rusi nuk ekzitojnë duke ripohuar autoritetin e tij absolut. Presidenti rus është zotuar se do të ndëshkojë njerëzit që mundësuan rebelimin e themeluesit të Wagner, Yevgeny Prigozhin. Por lidhjet e thella të themeluesit të Wagner me elitën në pushtet po i komplikojnë këto përpjekje.
Putin ushqeu spekulime për një goditje më të gjerë në një takim me dyer të mbyllura me Këshillin e Sigurimit. Në këtë mbledhje nuk u pa zv.Kryetari i Këshillit Dmitri Medvedev. Kreu i Kremlinit u shpreh se goditja është përqendruar në kontratat fitimprurëse të biznesit të Prigozhin me Ministrinë Ruse të Mbrojtjes. Blogerët ruse pro luftës raportuan se autoritetet po hetojnë anëtarët e shërbimit ushtarak me lidhje me Prigozhin.
Plani i rebelimit të Prigozhin nënkuptonte kapjen e Ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov gjatë një bastisjeje në Rostov-on-Don. FSB-ja mësoi për planin dy ditë përpara se të zbatohej, raporton Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë të inteligjencës amerikane.
The Moscow Times raporton se gjenerali Sergei Surovikin, Zëvendës Komandanti i Grupit të Bashkuar të Trupave Ruse në Ukrainë si dhe zëvendësi i tij është arrestuar të cilët gjithashtu ishin në djeni të rebelimit të Wagner. Sipas informacioneve, gjenerali u arrestua më 25 Qershor një ditë pas rebelimit të “Wagner”.
Gjeneralët më të lartë të Rusisë nuk janë parë në publik. Me përjashtim të Ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, gjeneralë të ushtrisë ruse po verifikohen nëse gjatë kohës së rebelimit i qëndruan besnik Kremlinit. Shefi i shtabit të Forcave të Armatosura, gjenerali Valery Gerasimov nuk është shfaqur në publik, që nga rebelimi i dështuar i javës së kaluar, kur udhëheqësi mercenar, Yevgeny Prigozhin kërkoi largimin e tij. Ai nuk është përmendur në deklaratat për shtyp të Mnistrisë së Mbrojtjes që nga 9 Qershori.
Mediat ruse shkruajnë se rebelimi i armatosur nga kompania ushtarake private Wagner është bërë pretekst për një spastrim masiv në radhët e Forcave të Armatosura Ruse. Një veprim i tillë, nëse konfirmohet, mund të ndryshojë mënyrën se si Rusia e vazhdon sulmin në Ukrainë. Ai gjithashtu mund të forcojë pozitat e figurave të tjera të larta ushtarake dhe të sigurisë që konsiderohen si besnikë.
Nga ana tjetër Grupi Wagner është ende duke rekrutuar luftëtarë në të gjithë Rusinë, pasi organizoi rebelimin. BBC raporton se ka rënë në kontakt me persona të ndryshëm në disa qendra rekrutimi të cilët konfirmojnë se grupi nga Kaliningrad në perëndim deri në Krasnodar në jug po kryen rekrutime.
Pushimi i akuzave penale kundër kryengritësve tregon pabarazitë e thella në një vend ku aktivistë të shumtë të opozitës po vuajnë dënime të gjata me burgim vetëm për shkak se kanë folur kundër agresionit rus kundër Ukrainës.
Klan News