Realizohet transplantimi i disa organeve – të zemrës, mëlçisë, veshkave në Maqedoni

Ministria e Shëndetësisë njofton se ditën e djeshme është kryer edhe një transplant multiorganesh, ku një pacient ka marrë zemër, një pacient mëlçi, dy pacientë kanë marrë veshka, ndërsa në ditët në vijim do të kenë mundësi pacientët nga Klinika Universitare për Ortopedi për të marrë edhe indet kockore.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri, shprehu mirënjohje për familjen e donatorit, që vendosi të dhurojë organet e të dashurit të tyre dhe në këtë mënyrë të shpëtojë të paktën 4 jetë.

“Pas pëlqimit të marrë të martën, dje në orët e para të mëngjesit kanë filluar transplantet e zemrës, mëlçisë, veshkave dhe indeve kockore. I dërgoj një falënderim të madh familjes së donatorit që na rikujtoi rëndësinë, ndjeshmërinë dhe humanizmin edhe në momentet më të vështira të jetës. Vendimi i tyre sot do të thotë një jetë e re për dikë, pasi dje shpëtuam të paktën 4 jetë”.

“Dhurimi i organeve është akti më i lartë i altruizmit që na bën të gjithëve njerëz më të mirë duke shpëtuar jetë njerëzish. Shumë faleminderit për të gjitha ekipet mjekësore që po punojnë me pacientët dhe po kujdesen për shëndetin e tyre për këto 48 orë”, tha Ilir Demiri.

Ndryshe, që nga viti 2020 janë transplantuar 11 zemra, 4 mëlçi, 38 veshka dhe 24 inde kockore, gjithsej 77 organe.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share