Një nga zhvillimet e mëdha për t’u mbajtur nën vëzhgim gjatë muajve të ardhshëm do të jetë situata e Kylian Mbappe në Paris Saint-Germain.
Kontrata aktuale e 24-vjeçarit skadon në fund të këtij sezoni dhe në këtë fazë, një marrëveshje rinovimi nuk është afër.
PSG-ja është e vendosur të mos e lejojë Mbappen të largohet si lojtar i lirë, kështu që parisienët do të përpiqen ta “blindojnë” atë me një marrëveshje të re.
Real Madridi shpreson për të kundërtën, në mënyrë që verën e ardhshme të mund ta nënshkruajë me të si lojtar i lirë.
Nëse Mbappe nënshkruan një kontratë të re, klubi spanjoll do të duhet të shikojë diku tjetër për një sulmues. Një nga emrat e përmendur së fundmi është Mathys Tel.
Sipas “Defensa Central”, Real Madridi po shqyrton një lëvizje për sulmuesin e Bayern Munichit nëse nuk nënshkruan me Mbappen verën e ardhshme. Adoleshenti është shumë i vlerësuar në të gjithë Evropën, dhe veçanërisht në klubin e tij aktual.
18-vjeçari aktualisht është rezervë e Harry Kane te “Bavarezët” dhe ai mund të vendosë për të vazhduar karrierën më vonë te “Los Blancos”.
Megjithatë, në këtë fazë, interesimi i Real Madridit thuhet se është në fazat e hershme.
Ndryshe, Mathys Tel me Bayern Munichin ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027.