Pas vizitës së ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, ku u diskutua për rrugën Tetovë-Prizren. Kanë reaguar nga LD-ja e Izet Mexhitit ku thonë se kjo rrugë do të ndërtohet por jo me BDI-në.
”Projekti i rrugës Tetovë – Prizren, bashkë me tunelin, është një ide e kamotshme. Është një arterie e rëndësishme jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Së fundi është aktualizuar shumë, sidomos kulmoi me vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shkup e Tetovë, i cili edhe një herë foli për rëndësinë e kësaj rruge që lidh dy qytetet me rëndësi historike” – thonë nga LD-ja.
”Kjo rrugë gjithsesi do të bëhet, por jo me BDI-në, e cila, gjë që është e pritshme, tenton ta përvetësojë si projekt partiak. Ndaj para se të flasin për këtë projekt madhor, të zëshmit e BDI-së, duhet t’i kryejnë ato dy kilometra të rrugës Bllacë – Shkup, që me vite nuk kryhen. Duhet t’i kryejnë punët e tunelit disa dhjetëra metra që me muaj të tërë është bërë makth i vërtetë për ata që marrin rrugën drejt Kosovës apo anasjelltas. Gjithsesi do të duhet t’i sqarojnë edhe skandalet korruptive lidhur me Korridorin 8. BDI nuk ka të drejtë morale të flasë për projektin Tetovë – Prizren, ndonëse të gjithë e kanë të qartë se do të bëjnë çmos që ta përdorin edhe këtë nismë, sepse të zëshmit e kësaj partie e dinë se zgjedhjet parlamentare janë shumë afër dhe fundi i tyre po kështu është afër. Rruga e vetme e tyre do të jetë ajo që do t’i çojë drejt humbjes” – thonë nga Lëvizja Demokratike. /KlanMacedonia/