“RADOJIÇIQI NË SERBI, NUK ËSHTË I PLAGOSUR – DUHET TË PËRGJIGJET PËR DISA GJËRA”
Shpallëm ditë zie për shkak të tre serbëve dhe policit të vrarë në Kosovë – tha në intervistën për Radio Televizionin publik serb, Aleksandar Vuçiq, duke pohuar se Kryeministri shqiptar, Edi Rama siç përcjellë Klan M, nuk e ka thënë të vërtetën.
Komentet vijnë pasi Rama, i kishte bërë thirrje BE-së që përmes një deklarate ta dënojë shpalljen e ditës së zisë në Serbi, ose nuk do të jetë një një linjë me Brukselin.
Presidenti serb duke iu kundërpërgjigjur Ramës përcjellë Klan M, përmendi ngjarjet e Kumanovës të vitit 2015.
“Atëherë kishte një konflikt të madh në Kumanovë, kur terroristët shqiptar, sulmuan shtetin sovran Maqedoninë, vend-anëtare të OKB-së, shumë detaj i rëndësishëm. U vranë 8 policë maqedonas. Cfarë ndodhi? Atëherë nuk e pamë Ramën ose dikend nga BE-ja të reagojë” – deklaroi Vuçiq.
Presidenti serb ka konfirmuar se nënkryetari i listës serbe, Milan Radojiçiq është në Serbi, por ka mohuar se është i plagosur.
“Ai do të përgjigjet thirrjeve të organeve të Republikës së Serbisë. Është në territorin e Serbisë qendrore. Nuk është i plagosur. Veten e vlerëson si luftëtar për liri, por ka disa gjëra për të cilat duhet të përgjigjet” – tha Vuçiq.
Vuçiqi nuk ka arsyetuar vrasjen e policit të Kosovës, por ka deklaruar se sipas ligjit ai nuk ka guxuar të jetë në veri dhe se për këtë duhet të reagojnë organet kompetente.
Presidenti serb akuzoi Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, për “terror” kundër serbëve nga Kosova dhe u bëri thirrje serbëve për paqe. /KlanMacedonia/