Reagime të ashpra për çështjen e Klan Kosovës, Kurti mbron vendimin

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të shtunën se zbatimi i ligjit kundër afaristëve të fuqishëm që e shkelin atë për përftime financiar, nuk paraqet sulm ndaj lirisë së medias. Ai i bëri këto komente në një postim ne rrjetet sociale mes reagimeve të ashpra që nxiti vendimi i qeverisë së tij për refuzimin e ankesës së televizionit Klan Kosova ndaj pezullimit të certifikatës së biznesit.

Kryeministri Kurti tha se ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore, jo një “teknikalitet ” dhe se sipas tij zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik.

“Liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk praqet një sulm ndaj lirisë së medias”, shkroi ai duke nënvizuar se në demokraci organet e autorizuara për të vendosur për raste të tilla nuk janë në zyrën e kryeministrit por megjithatë, këto organe tha ai, e kanë mbështetjen e plotë të zyrës së tij.

Çështja zuri fill muajin e kaluar kur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ngriti kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA”, me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”, duke shtuar se “nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë”.

Ndonëse kompania tha se ka bërë ndryshimet, Komisioni i Ankesave, sipas ministrisë, ka “gjetur përpjekje të vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, të cilat ende nuk kanë shkuar deri në fund”.

Klan Kosova e cilësoi të padrejtë pretendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave lidhur me dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të televizionit.

Ky televizion tha se “i ka si dëshmi të gjitha dokumentet që konfirmojnë se pronari i kompanisë është i regjistruar në komunën e Gjakovës të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim në të cilin paralajmërohet dërgimi i çështjes në gjykatë.

Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari i tha të shtunën Zërit të Amerikës se vendimi i qeverisë së Kosovës për të mbyllur televizionin Klan Kosova është sulmi më i madh që i është bërë pluralizmit dhe demokracisë në vend.

“Dje qeveria Kurti, ministrja Hajdari, lëvizja Vetëvendosje përfundimisht kanë vendosur të mbyllin Klan Kosovën përmes procedurave të kundërligjshme nga autoritetet që nuk janë të thirrura të suspendojnë apo pezullojnë certifikatat e biznesit me procedura të shpikura dhe ta pabazuara në ligj”, tha ajo.

Zonja Kusari tha se partia në pushtet po e shfrytëzon autoritetin për të kundërshtuar mediat, madje edhe duke i mbyllur.

“Unë kam shpresë në gjykatë që gjykata do ta bllokojë këtë proces por edhe sikur Klani të fitojë rastin në gjykatë asgjë nuk do ta ndryshojë faktin që lëvizja Vetëvendosje gjatë ushtrimit të pushtetit të saj në qeveri ka mbyllur një media”, tha ajo.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari shkroi në rrjetet sociale se “fakti që një biznes mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht”.

Diplomatë perëndimorë, shoqata gazetarësh, përfaqësues të medieve por edhe përfaqësues të opozitës u shprehën të alarmuar me qëndrimet e ministrisë.

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian u shprehën thellësisht të shqetësuara me vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës që sipas tyre është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri thirrje që “çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovë, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”.

Partitë opozitare thanë se vendimi i qeverisë për ta mbyllur Klan Kosovën, duke i marrë certifikatën e biznesit,është i papranueshëm, i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kundër secilës vlerë demokratike të Kosovës.

Shoqatat vendase e ndërkombëtare të gazetarëve thanë se vendimi i qeverisë duhet të zhbëhet duke e cilësuar atë si goditjen më të rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share