Rasti ”Monstra”/ Filkov kërkon nga Kosova ekstradimin e Demirit dhe Ismailoviqit

Maqedonia e Veriut do të kërkojë sërish ekstradimit e Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit, dy të dënuarit për rastin “Monstra”, të cilët ndodhen në arrati në Republikën e Kosovës. Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov deklaroi se, ka nënshkruar kërkesë për ekstradimin e tyre dhe e njëjta i është dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, prej ku pritet përgjigje.

“Në procedurë është dorëzuar gjithçka që është kërkuar nga autoritetet e Kosovës. Përgjigjet zyrtare nga Kosova për refuzimin e ekstradimit të Ismailoviqit janë dërguar dy herë, në shkurt 2016 dhe tetor 2021. Për Demirin ka pasur një përgjigje zyrtare nga Kosova në shkurt të vitit 2016. Pas gjashtë vitesh sërish kërkojmë ekstradimin e tyre“ – tha Igor Filkov, Ministër i Drejtësisë.

Ai tha se, në vitin 2021 kanë marrë njoftim nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, se refuzohet kërkesa për ekstradimin e Ismailoviqit, ndërsa për Demirin nuk ka përgjgije.

“Për Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviqin është kërkuar ekstradim nga Republika e Kosovës për herë të parë më 15 mars 2013. Kërkesa për ekstradim ishte refuzuar me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë në tetor të vitit 2015, të konfirmuar nga Gjykata e Apelit e Kosovës në janar të vitit 2016. Për të dy u kërkua sërish ekstradim më 5 shtator 2018” – tha Igor Filkov, Ministër i Drejtësisë.

Rasti “Monstra” ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovcit. Për këtë vrasje u dënuan 5 persona, prej të cilëve tre me burg të përjetshëm, njëri me 15 vite burg dhe njëri me 9 vite burg. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share