Lirohet nga paraburgimi Stefan Dimkovski, i cili dyshohet se në cilësinë e shoferit e ka ndihmuar për tu larguar në Turqi, Ljupço Palevski Palço, të dyshuarin kryesor për vrasjen e 14 vjeçares Vanja dhe 74-vjeçarit Pance Zhezhovski. Me propozim të prokurorit të rastit, gjyqtari i ka caktuar masat e sigurimit, gjegjësisht ndalim të largimit nga vendbanimi, konfiskim të dokumentit të udhëtimit, detyrim për paraqitje në gjykatë dhe ndalim të përdorimit të patentë shoferit.
“Duke marrë parasysh veprën për të cilën dyshohet personi dhe dënimin me burgim me kusht, kohëzgjatja maksimale e mundshme ligjore për këtë të dyshuar është tre muaj. Pas skadimit të atij afati, ndaj të dyshuarit është zëvendësuar masa e paraburgimit me masat e duhura të kujdesit”, thonë nga Prokuroria Publike Shkup.
Dimkovski ka transportuar nga Beogradi në Turqi Palevskin, i cili dyshohet për rrëmbimin dhe vrasjen e dyfishtë të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pance Zhezhovski.
Sipas prokurorisë, ai e ka ndihmuar Palevskin që të mos zbulohet për krimet dhe i ka siguruar transport me veturë. Pas komunikimit dhe marrëveshjes paraprake me Palevskin, i cili ndodhej në Serbi, Dimkovski është nisur për në Beograd me një automjet “Land Rover” me targa të Strumicës, në pronësi të një kompanie. Aty është takuar me Palevskin dhe së bashku me veturën janë nisur drejt pikës kufitare me Bullgarinë, Kalotinë.
Ata kanë kaluar kufirin më 2 dhjetor të vitit të kaluar dhe duke lëvizur nëpër territorin e Bullgarisë, në të njëjtën ditë kanë mbërritur në pikën kufitare Kapitan Andreevo dhe kanë hyrë në Turqi.
Bashkë kanë qenë deri më 3 dhjetor. Atë ditë, Dimkovski ka postuar në Facebook edhe një foto nga Turqia. Më pas Dimkovski me veturën e tij përmes Greqisë është kthyer në vendin tonë, ku është arrestuar në pikën kufitare Star Dojran.
Dimkovski, së bashku me të dyshuarit tjerë në këtë rast, që nga dhjetori ishte në paraburgim në “Shutkë”. Ndërsa Palevski u kap në qytetin turk Belikesir dhe pritet ekstradimi i tij në vend./tvklan.mk