Rasti “Besa Trans”, sot dëshmojnë përfaqësuesit e Doganës

Në Gjykatën Penale të Shkupit, sot duhet vazhdojë gjykimi për rastin “Besa Trans”, në të cilin kompania si person juridik dhe pronari i kompanisë Bekim Haxhiu akuzohen për falsifikimin e licencës së autobusit i cili në orët e para të 23 nëntorit duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë është aksidentuar dhe më pas është djegur, ku si pasojë humbën jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë u lënduan.

Seancat paraprake janë anuluar pasi që nuk kanë ardhur përfaqësuesit e Doganës, por edhe përfaqësuesi i personit juridik “Besa Trans”, Shaban hoxha, nën arsyetimin se ka pasur rast të vdekjes së personit të afërt familjar dhe ndodhet jashtë shtetit.

Gjykatësi në seancën e fundit tha se Hoxha edhe nëse vjen, pro edhe nëse nuk vjen seanca do të mbahet, pasi që atij do t’i caktojë avokat sipas detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm, megjithatë autoritetet shtetërore nuk kanë njoftuar për kurrfarë ndjekje penale ndaj doganierëve të cilët kanë keqpërdorur detyrën.

Paraprakisht, pronari i “Besa Trans”, Bekim Haxhiu, para gjykatës është deklaruar se nuk ndihet fajtor për falsifikimin e certifikatës së licencës për kryerjen e transportit ndërkombëtar.

Teza e mbrojtjes është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Ata pretendojnë se nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licenca ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë. Sipas tyre, janë përdorur licencat origjinale.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa shtatë mbijetuan.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share