Shtatë vite më parë, Izet Mexhiti, atëherë funksionar i lartë i BDI-së, duke folur për rastet e montuara, kishte deklaruar se do të ndërmerren masat e duhura që të pafajshmit të mos kalben burgjeve dhe që rastet e montuara të zbardhen.
Por sot, Izet Mexhiti i Hristijan Mickoskit kritikoi ashpër Izetin e BDI-së duke deklaruar se Izeti i Mickoskit ka dallim nga Izeti i BDI-së, sepse këta të parët nuk i keqpërdorin rastet ashtu siç i ka keqpërdorur Izet Mexhiti i BDI-së në të kaluarën.
Nëpërmjet një statusi në Facebook, Agim Islami ka reaguar ashpër ndaj koalicionit VLEN, duke i kritikuar për qëndrimin e tyre të heshtur përpara Gjykatës Kushtetuese dhe duke i cilësuar si të frikësuar nga Hristijan Mickoski.
“Nga frika e Hristijan Mickoskit mos po hezitojnë të japin një qëndrim për rastin Alfa! Ju jeni përfaqësuesi i popullit shqiptar për momentin dhe jo vetëm opozita duhet të reagojë për rastin Alfa. Gjykata po shkel kodin penal dhe unë po vazhdoj të kalbem në burg i pafajshëm,” ka shkruar në Facebook Agim Islami, i dënuar me burgim të përjetshëm për rastin Alfa.
Për këtë rast, familjarët e të dënuarit kanë realizuar një ekspertizë jashtë vendit, ku janë konstatuar fakte të reja. Megjithatë, Gjykata Penale ka vendosur të mos pranojë një ekspertizë të tillë, duke e hedhur poshtë kërkesën për rigjykim.
Koalicioni VLEN, gjatë gjithë fushatës parazgjedhore, ka akuzuar ish-pushtetin se ka montuar raste dhe nuk ka ndihmuar shqiptarët, që sipas tyre qëndrojnë të pafajshëm në burg. Ndërsa sot, kur ka një vendim të Gjykatës kundër Agim Islamit, koalicioni VLEN hesht.