Hetuesit e Kombeve të Bashkuara publikuan një raport të mërkurën ku thuhet se emigrantët që mbahen në Libi përballen me abuzime të tmerrshme, veçanërisht gratë të cilat janë viktima të dhunës seksuale dhe shpeshherë detyrohen t’i nënshtrohen përdhunimit në këmbim të ushqimit.
Misioni i Pavarur i Gjetjes së Fakteve në Libi përsëriti se krimet më të këqija sipas ligjit ndërkombëtar ka të ngjarë që po ndodhin në vendin e shkatërruar nga lufta, me gratë emigrante që vuajnë disa nga abuzimet më të rënda.
“Misioni ka prova të forta për të besuar se krimet kundër njerëzimit, të vrasjes, torturës, burgosjes, përdhunimit, zhdukjes me forcë dhe akteve të tjera çnjerëzore janë kryer në disa vende të paraburgimit në Libi që nga viti 2016-të”, thuhet në deklaratë.
Emigrantët burgosen vazhdimisht nga autoritetet dhe nga trafikuesit e qenieve njerëzore në Libi – një vend kyç transiti për dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht nga Afrika, që shpresojnë të arrijnë në Evropë.
Trafikantët kanë përfituar nga kaosi që ka përfshirë vendin që nga rrëzimi dhe vrasja e diktatorit Moamer Kadhafi.
Këtë javë po mbahen në Gjenevë bisedimet mes qeverive rivale të Libisë për përcaktimin e rregullave mbi zgjedhjet e shumëpritura, me qëllim që t’i jepet fund kaosit.
– ‘Akte çnjerëzore’ –
Raporti i misionit fakt-mbledhës, që do t’i paraqitet Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut javën e ardhshme, tha se kishte mbledhur prova të shumta të “përdorimit sistematik të burgosjes së zgjatur dhe arbitrare” të migrantëve në Libi.
Hetuesit, të cilët bënë disa udhëtime në Libi, përshkruan se si emigrantët në paraburgim përballen me “akte të vrasjes, torturës, përdhunimit dhe akteve të tjera çnjerëzore”.
Në raport nënvizohej “dhuna seksuale nga ana e trafikantëve dhe kontrabandistëve, shpeshherë me qëllim zhvatjen e familjeve”.
“Mision ka dokumentuar gjithashtu raste të përdhunimit në vendet e paraburgimit, ku gratë emigrante detyrohen të kryejnë marrëdhënie seksuale për të mbijetuar, në këmbim të ushqimit apo produkteve të tjera esenciale”, shkruhet në raport.
Në fakt, rreziku i njohur i dhunës seksuale konsiderohet i madh, thuhet në raport, aq sa “disa gra dhe vajza emigrante vendosin një implant kontraceptiv përpara se të udhëtojnë atje për të shmangur shtatzëninë e padëshiruar për shkak të një dhune të tillë.”/REL