Federata Botërore e Obezitetit ka paralajmëruar se gjysma e popullsisë së botës do të jetë mbipeshë deri në vitin 2035 nëse nuk merren masa. Në raportin e Federatës thuhet se më shumë se 4 miliardë njerëz do të preken nga mbipesha. Vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme në Afrikë dhe Azi, pritet të shohin rritjet më të mëdha.
Presidentja e Federatës, Louis Baur i përshkroi gjetjet e raportit si një paralajmërim të qartë për vendet që të veprojnë tani, ose do të rrezikojnë të kenë pasoja në të ardhmen. Në veçanti, raporti thekson normat në rritje të obezitetit midis fëmijëve dhe adoleshentëve, me norma që priten të dyfishohen nga nivelet e vitit 2020, si tek vajzat ashtu edhe tek djemtë.
Prof. Baur u shpreh se tendenca ishte shumë shqetësuese teksa ka shtuar se qeveritë dhe politikëbërësit në mbarë botën duhet të bëjnë gjithçka që munden për të shmangur kalimin e kostove shëndetësore, sociale dhe ekonomike tek brezi i ri duke vlerësuar sistemet dhe faktorët rrënjësor që kontribuojnë në obezitet.
9 nga 10 vendet me rritjen më të madhe të pritshme të obezitetit globalisht janë shtete me të ardhura të ulëta ose të mesme, në Afrikë dhe Azi. Vendet me të ardhura më të ulëta janë shpesh më pak të afta për t’iu përgjigjur obezitetit dhe pasojave të saj.
Obeziteti është një term mjekësor që përdoret për të përshkruar një person me një tepricë të lartë të yndyrës në trup./tvklan.al