Ramiz Merko ka paditur për shpifje këshilltarin e Kryeministrit të Kosovës për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, Bekim Qokun, informon KlanM.
Qoku ka publikuar në rrjetin e tij social dokumentet e padisë, bashkë me raportin disafaqesh të psikiatrit për Ramiz Merkon. Shkaku i padisë, sipas Qokut, është një postim një “facebook” ku e quan “të korruptuar” kreun e Strugës. Kjo padi, siç përcjell KlanM, ka ardhur para se Departamenti amerikan i Shtetit ta shpallë Ramiz Merkon “non grata” për korrupsion masiv.
Duke komentuar raportin e psikiatrit, të cilin Merko e ka dorëzuar bashkë me padinë, Qoku thekson se tani pas shpalljes “non grata” nga DASH, Merko nuk duhet të dalë para psikiatrit, por para një prokurori të “pakapur” dhe pastaj, sipas Qokut, Merko duhet të shkojë në burg”.
“Kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko ngre padi kundër meje për shkak të një postimi që kam bërë në FB, ku unë them që ai është i korruptuar. Me këtë rast unë i paskam shkaktuar atij aq dhimbje të rënda psiqike, saqë qenka detyruar ta vizitojë edhe psikiatrin.
Do shikoni që, në fakt, fjalia që atë e paska prekur më shumë, është se unë them që ai po përçan partinë, gjë që po u dëshmua së fundi.
Se çfarë dhimbjesh psiqike e shpirtërore i ka shkaktuar DASH tani që po e akuzon për “Korrupsion madhor”, këtë do ta shohim nga trajtimet e psikiatrit. Por unë megjithatë them që Ramiz Merko nuk duhet të dalë para psikiatrit, por para një prokurori të pa-kapur nga kthetrat e tij korruptive dhe pastaj për një kohë të gjatë në burg. Ramiz Merko e ka vendin vetëm në burg”, shkruan Bekim Qoku, kêshilltar i Albin Kurtit për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut./KlanMacedonia